Gërvalla: Vuçiq s’mund ta pengojë krijimin e një të ardhme më të mirë në Kosovë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka hedhur poshtë akuzat e Serbisë, duke thënë se askush nuk i ka përjashtuar serbët nga institucionet e Kosovës.
Ajo tha se serbët kanë nisur të integrohen në institucionet shtetërore të Kosovës dhe shpreson që një gjë e tillë të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Kërcënimet që bëhen ndaj atyre që po bëjnë këtë gjë nga strukturat kriminale, e drejtpërdrejt edhe nga Beogradi, nuk do të arrijnë të ndalin ata që duan të jetojnë në një Kosovë të lirë dhe demokratike”, ka thënë ministrja e Jashtme e Kosovës.
“Serbia ka kërkuar që të braktisen institucionet dhe i ka kërcënuar ata që nuk kanë dashur që të largohen, kështu që Serbia ka bërë të pamundur për ta që të vazhdojnë të jenë në institucionet e Kosovës”, ka thënë Gërvalla në fjalën e saj përmbyllëse në mbledhjen e KS të OKB-së mbi raportin e UNMIK-ut në Nju Jork.
“Kërcënimet e Vuçiq me masat e fundit që i morën, e që janë kritikuar nga BE-ja, nuk do të jenë në gjendje të pengojnë nga krijimi i një të ardhme më të mirë në Kosovë”, ka shtuar Gërvalla.