Gërvalla për Asociacionin: Ky rajon mjaft e ka një Republikë Serbe, s'ka nevojë për një të dytë
Lexohet për: 4 min.
gervalla-090523
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlic Radman, ka thënë se modeli kroat për të drejtat e pakicave mund të shërbejë si shembull edhe për Kosovën.

Në vizitën e sotme të tij në Kosovë, pas takimit me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ai tha se ky model iu vlerësua Kroacisë gjatë anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, Rodman shtoi se ka modele të ndryshme në botë për të drejtat e pakicave që mund të shfrytëzohen.

“Ky model është promovuar përmes ligjit kushtetues për të drejtat e pakicës dhe është i suksesshëm si i tillë. Ndoshta mund të shërbejë si një shembull. Natyrisht se ishte i vlerësuar në lidhje me anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian. Ky model ka rezultuar me sukses tek ne, por të gjithë ata që dëshirojnë eksitojnë modele të shumta në botë, që mund të shfrytëzohet. Ndoshta nuk janë të suksesshme në disa situata, kjo është çështje tjetër, po ashtu sa mund të zbatohen në sisteme të tjera varet nga shtetet”, tha ai.

Ndërkaq, ministrja Gërvalla, nënvizoi se asnjë lloj asociacioni apo mekanizmi nuk mund të zbatohet në Kosovë nëse shkelet Kushtetuta, sovraniteti dhe funksionaliteti i vendit.

Ajo tha se disa prej modeleve që iu janë paraqitur nga ndërmjetësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak nuk vijnë në shprehje, pasi shkelin vijat e kuqe të Kosovës që ka në dialog. Përkitazi me këtë, kryediplomatja kosovare theksoi se në rajon nuk ka nevojë për një Republikë Serbe të dytë, pas asaj në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Në vazhdimësi të procesit të dialogut nga ndërmjetësuesi Lajçak janë prezantuar disa modele evropiane si shembuj të mirë se si mund të rregullohen çështjet e pakicave apo minoriteteve në një vend. Të gjitha modelet që kemi trajtuar kemi konstatuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, minoriteteve të veta iu jep më shumë të drejta se të gjitha modelet që kemi parë. Qoftë përfaqësimi në parlament, në nivelin lokal, madje edhe prezenca e vazhdueshme e pakicës serbe në kabinetin qeveritar është një element unik që ia jep Kushtetuta. Ne i kemi trajtuar modelet i kemi parë cilat janë ato, të cilat nuk vijnë në shprehje pasi shkelin vijat e kuqe që kemi në këtë dialog. Asnjë lloj formacioni, asociacioni apo mekanizmi nuk mund të implementohet në Kosovë nëse shkel sovranitetin e vendit, kushtetutën e vendit dhe funksionalitetin e Kosovës. Këto tre elemente janë bazë për funksionimin e një shteti. Çfarë kemi parë në Bosnje dhe Hercegovinë me Republikën Serbe të instaluar atje, një bllokim të tërësishëm të funksionimit të shtetit nuk ka për të ndodhur në Kosovë. Ky rajon mjaft e ka një Republikë serbe, nuk ka nevojë për një të dytë. Prandaj modelet që janë paraqitur paraqesin elemente të pranueshme në suazat e rregullimit tonë kushtetues dhe prej tyre do të përpiqemi të zgjedhim elementet më të mira”, theksoi Gërvalla.

Krahas këtyre, në konferencën e përbashkët për medie, kryediplomati kroat mirëpriti avancimin e dialogut Kosovë-Serbi, veçmas theksoi rëndësinë e nënshkrimit të deklaratës për të zhdukurit.

https://kosovapress.com/admin/radman-modeli-kroat-per-pakicen-serbe-mund-te-sherbeje-per-kosoven/

Në anën tjetër, ai shprehu mbështetjen edhe për aspiratat euro-integruese të Kosovës, gjë për të cilën e falënderoi edhe ministrja Gërvalla.

E pyetur nga gazetarët, ministrja Gërvalla foli për çështjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili akuzohej për përfshirje në një skandal financiar për tregtim të energjisë elektrike.

Kryediplomati kroat ka ardhur në Kosovë me rastin e regjistrimit të parë zyrtar të diasporës kroate në Janjevë.

Pas konferencës të përbashkët dy kryediplomatët shkuan në këtë fshat të Kosovës në të cilin jetojnë rreth 150 kroatë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024