Gërvalla në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, prioritet siguria në rajon
Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla takoi sot në Uashington drejtorin e ri për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, ambasadorin Michael Carpenter.
Në takim u diskutua mbi sfidat globale dhe rajonale të sigurisë dhe nevoja e bashkëpunimit të ngushë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përballimin dhe tejkalimin e tyre.
Gërvalla e njoftoi Carpenter rreth progresit në demokratizimin e vendit, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, fusha këto në të cilat Kosova është lidere në Ballkanin Perëndimor.
Ajo theksoi vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor, drejtësi, zhvillim ekonomik, por njëkohësisht edhe paqe e stabilitet në rajon.
Gjatë këtij takimi u ritheksua miqësia e fortë dhe e qëndrueshme midis SHBA-së dhe Kosovës, e cila vazhdon të jetë një shtyllë e rëndësishme e sigurisë dhe zhvillimit në rajon.