Gërvalla: Arbëreshët shembull unik i ruajtjes së gjuhës e identitetit shekullor
Me një pritje të ngrohtë dhe plot emocione në komunën e Shën Benedhitit, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka nisur vizitën në komunat arbëreshe në Kalabri të Italisë. Në takim me kryetaren e kësaj komune arbëreshe Rosaria Capparelli, ministrja Gërvalla shprehu falënderimet e saj për mikpritjen dhe vullnetin e gatishmërinë e arbëreshëve të Kalabrisë për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me Kosovën në sferën e kulturës, shkëmbimeve tregtare dhe fushave të ndryshme.
“Ruajtja dhe trashëgimia e gjuhës, kulturës dhe identitetit për kaq shekuj është frymëzim dhe shembull edhe për mërgatën dhe diasporën tonë në ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore brez pas brezi,” tha ministrja Gërvalla. Kjo vizitë vjen në kuadër të angazhimit të MPJD-së për të forcuar lidhjet kulturore dhe shoqërore mes Kosovës dhe komunave arbëreshe të Kalabrisë, përmes projekteve që rrisin bashkëpunimin ndërinstitucional mes komunave nga të dy vendet, në kulturë, arsim dhe trashëgimi kulturore, ekonomi, tregti dhe shkëmbim ekspertize në fusha të ndryshme.