Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane e Stabilitetit (ESI) ka reaguar pas deklarimeve nga Këshilli i Evropës se Kosova nuk do të jetë pjesë e agjendës për anëtarësimin e saj në këtë organizatë në mesin e këtij muaji sikurse ishte paraparë më herët. Zëdhënësi i KiE Daniel Holtgen, tha dje se çështja e Kosovës nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme dhe se për momentin nuk dihet se kur mund të jetë, duke mos dhënë më shumë hollësi. Në një postim në rrjetin social X, Knaus ka shkruar se testi për anëtarësimin e Kosovës do të jetë javën e ardhshme. Ai në këtë kontekst ka shtruar pyetjen nëse do të dështojë Gjermania. “Testi është javën e ardhshme. A do ta dështojë Gjermania? Tani për tani, Gjermania, Franca dhe Italia planifikojnë të vënë veton ndaj rekomandimit nga 82 për qind e deputetëve në PACE, i cili pasoi shqyrtimin më meritokratik nga tri komisione dhe ekspertë”, ka shkruar Knaus.
Ai ka shtuar se gjitha kjo do të ishte një Waterloo diplomatike dhe rënie të besimit në drejtësinë e BE-së. Kosova muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësim në këtë organizatë, duke nxitur besimin në Prishtinë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd. Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor 2023. Por, kryeministri Albin Kurti e cilësoi të papranueshëm një kushtëzim të tillë. Dy ditë më parë pas një takimi me diplomatët e vendeve kryesore perëndimore në Prishtinë ai bëri thirrje që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, meqë këto procese janë të ndara.