Gazi lotsjellës në Kuvend: Pal Lekajt nuk i kujtohet, Konjufca mbrohet në heshtje
Lexohet për: 2 min.
423422742_3719924951576485_8668589850048301157_n
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Në Gjykatën Themelore është mbajtur seanca e radhës për Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Me këtë rast, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, si dëshmitar në rastin e Konjufcës, tha se nuk i kujtohet nëse në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit ishte hedhur gaz lotsjellës dhe nëse është ndërprerë ajo mbledhje.

Po ashtu, Lekaj e ka përsëritur se nuk i kujtohet nëse i pandehuri Glauk Konjufca ka marrë pjesë në atë mbledhje.

Këtë deklaratë, Lekaj e bëri duke i përgjigjur pyetjeve të prokurorit të shtetit, Besart Mustafa.

Ndërkaq, në seancën e mbajtur për hedhjen e gazit lotsjellës të datës 10 gusht të vitit 2016, është aprovuar propozimi i prokurorit Mustafa që e njëjta mbledhje të administrohet si provë për seancën përfundimtare.

Në fund, i pandehuri Konjufca i akuzuar për rastin e hedhjes së gazit lotsjellësit, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje dhe t’i qëndrojë mbrapa deklaratave të mëhershme.

“Gjyqtare, unë deklaratën kryesore e kam dhënë në fazat e mëhershme, asaj i përmbahem kështu që po e zgjedh opsionin e mbrojtjes në heshtje ashtu siç ma mundëson edhe ligji”, deklaroi Konjufca.

Pas përfundimit të deklaratës së Konjufcës, avokatja mbrojtëse e tij, Arbnora Zeqiri, ka kërkuar kohë shtesë për fjalën përfundimtare të seancës. Në fund, është vendosur që seanca përfundimtare të mbahet të premten e kësaj jave në ora 13:00. /A.Drenica/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025