Gazetarët e konsiderojnë të paarsyeshëm qëndrimin në konferencën e ministres Hajdari
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Gazetarët e mediave të ndryshme kanë bojkotuar konferencën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Në fjalinë e parë të saj, ata kanë larguar mikrofonat nga foltorja dhe më pas edhe kamerat ku po mbahej konferenca. Kjo në shenjë solidarizimi dhe revolte ndaj vendimit të MINT-it për shfuqizimin e certifikatës biznesit të televizionit Klan Kosova.
Gazetarja nga Klan Kosova, Qëndresa Bellagoshi thotë se ishte e palogjikshme prezenca në këtë konferencë pas këtij vendimi.
“Bashkërisht me të gjithë kolegët tjerë gazetarë të cilët kemi qenë të pranishëm, në fakt me shumicën prej tyre kemi qenë të një mendimi që është e paarsyeshme që ne të qëndrojmë sot në këtë konferencë të thirrur nga ministrja Rozeta Hajdari, pas veprimeve të fundit nga kjo ministri. Ka qenë në një far forme e palogjikshme që ne të qëndrojmë dhe të dëgjojmë konferencën të thirrur nga ajo, duke qëndruar sikur të mos ketë ndodhur gjë dhe sikur të mos ketë tentativë që të mbyllet një media”, thotë ajo.
Gazetatari i portalit “Nacionale”, Vullnet Krasniqi, thotë se ministrja Rozeta Hajdari nuk mund të shtiret dhe duhet të jap llogari edhe për rezervat shtetërore.
Edhe gazetari Valon Rashiti nga “Albanian Post” shprehet se bojkoti ndaj konferencës së sotme ka qenë më e pakta për të shprehur pakënaqësitë.
Të hënën, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, kanë protestuar në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.