Për shkak të krizës aktuale ekonomike, një pjesë e mirë e të punësuarve në sektorin e gastronomisë nw Maqedoni tw Veriut, janë në rrezik për të humbur vendin e punës.
Disa prej tyre tashmë janë dërguar në pushim të detyruar vjetor, disa janë tashmë në shtëpi dhe marrin 70% të pagës mujore. Për shkak të mungesës së ndihmës nga shteti, hotelet më të mëdha në Ohër, ku punojnë shumica e njerëzve të turizmit, i kanë mbyllur ose do t’i mbyllin objektet e tyre.
“E gjithë kjo do të çojë në mbylljen e hoteleve dhe largimin nga puna të punëtorëve dhe krizë më të thellë. Nuk është në interes të shtetit mbyllja e gjysmës së hoteleve. Nëse mund të subvencionohen kompanitë më të vogla, atëherë nuk e kuptoj pse nuk mund t’i jepet gastronomisë rrymë e subvencionuar, si degë që tashmë po vuan tre vite”, tha Kërste Bllazheski – kryetar i HOTAM.
Puna e pasigurt në turizëm sjell tashmë problem tjetër. Shumë nga ata që punojnë në këtë sektor shpërngulen jashtë dhe nuk kthehen më.
Ohri dhe Struga po shkojnë drejt një gjendjeje që duhet të importojnë fuqi punëtore nga vendet e tjera.
“Duhet të ndodhë në momentin që nuk keni alternativë tjetër. Gastronomët nuk do të kenë fuqi punëtore të mjaftueshme dhe kur nuk do të kenë do të duhet të përdorin masa të tilla dhe ndoshta nuk do të kalojë shumë kohë para se ta shohim këtë pamje”, theksoi Cvetko Andreeski- profesor në Fakultetin e Turizmit.