Mbrojtësi i Arsenalit, Gabriel Magalhaes është i bindur se Gabriel Jesus dhe William Saliba do të bëjnë gjëra të mëdha me klubin dhe shpjegoi se si ai po i ndihmon të dy të përshtaten në Londër.
“Topçinjtë” transferuan Jesusin nga Manchester City për të mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Pierre-Emerick Aubameyang në janar, dhe kalimi i Alexandre Lacazette në Lyon pas skadimit të kontratës së tij në “Emirates”, përcjell KosovaPress.Ndërsa braziliani nuk ishte në listën e golashënuesve, presioni i tij ra në sy dhe mbrojtësi Gabriel ka zbuluar se ai mund të ketë pasur një rol të vogël për të luajtur në transferimin e Jesusit në veri të Londrës.
“Ai është një djalosh i fokusuar dhe me të vërtetë i pëlqen të punojë shumë. Ai është këtu për të përmirësuar skuadrën dhe ai veçse është duke e bërë këtë gjë. Ai ka ardhur këtu me qëllime të mëdha. Dëshiron të arrijë gjëra të mëdha me Arsenalin. Unë mendoj që ai do të na ndihmojë neve shumë”, tha mbrojtësi i Arsenalit.
Saliba u lavdërua për paraqitjen e tij fantastike, ku edhe u krahasua me Rio Ferdinand nga Gary Neville, dhe tani Gabriel mendon që ata mund të formojnë një partneritet të fortë në fushë.
“Ai është një lojtar i ri i cili erdhi këtu në një moshë të re dhe u largua për të fituar më shumë eksperiencë. Tani, pavarësisht moshës së tij, ai veçse luan për Kombëtaren e Francës. Kjo iu tregon se sa i mirë është. Ai është këtu për t’i ndihmuar skuadrës dhe ai është një talent premtues”, tha Gabriel.