Federata e Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me FIFA-në, tash e disa muaj po punon intensivisht në krijimin e strategjisë për futbollin e femrave. Si një dokument i domosdoshëm i cili ndihmon në zhvillimin e futbollit në këtë konkurrencë, strategjia e cila pritet të lansohet gjatë këtij muaji, FFK synon që t’i arrijë më lehtë synimet e saj për këtë kategori.
“Futbolli i vajzave dhe i grave është më specifik se sa i meshkujve dhe ashtu sikur në të gjithë botën që punohet në zhvillimin e futbollit të vajzave, edhe në si Federatë e Futbollit ka disa muaj që kemi një bashkëpunim të ngushtë me FIFA-në, për të përpiluar një strategji të zhvillimit të futbollit të vajzave. I jemi falënderues FIFA-së që ka shprehur gatishmërinë e plotë për të na mbështetur vazhdimisht në punëtoritë tona që i kemi pasur për disa muaj, në mënyrë virtuale dhe fizike, kemi pasur një punëtori në të cilën kemi mbledhur një numër të madh të njerëzve që merren me futbollin e vajzave, pjesëmarrës të klubeve, administratorë, vajza që luajnë futboll aktivisht.”, tha Krasniqi.
Si pjesë e kësaj strategjie, Krasniqi zbuloi për KosovaPress, se po planifikohet që futbolli të përfshihet në korikulën shkollore si lëndë mësimore.
Përtej strategjisë, Krasniqi ka folur edhe për Kombëtaren A, të femrave që drejtohet nga suedezja, Anneli Andersen. Ajo ka thënë se me ndryshimet që po bëhen në skuadër, sukseset në një të ardhme të afër nuk do të mungojnë.
“Natyrisht që përvojat e ndërkombëtareve na hyjnë në punë sepse shtetet e tjera janë shumë më larg se sa ne, sidomos Suedia që është një vend që e ka futbollin e vajzave shumë të zhvilluar dhe masovik. Jemi në rrugë të mirë, ka bërë ndryshime në këtë kombëtare dhe shpresojmë që sukseset nuk do të mungojnë në lojërat që i kemi shumë afër”, tha Krasniqi.