Fushata kundër kancerit të gjirit do të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë
Shëndetësi
Lexohet për: 3 min.
Fushata kundër kancerit të gjirit do të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Fushata për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit do të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë. Kështu është thënë në konferencën përmbyllëse të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe institucionet tjera me rastin e përfundimit të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku tha se lufta kundër kancerit të gjirit nuk përfundon me këtë fushatë. Gexha Bunjaku tha se kjo sëmundje është një sfidë që përballohet së bashku.

Derisa premtoi mbështetje dhe përmirësime të shërbimeve për të prekurit nga kjo sëmundje, Gexha Bunjaku tha se këto nuk janë vetëm premtime por obligim moral.

Ushtruesja e detyrës në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Ardita Baraku tha se fuqia e ndërgjegjësimit, përkushtimi për veprime dhe veprimet e bashkuara për përkrahje dhe solidaritet janë tri çështje thelbësore në luftën kundër kancerit të gjirit.

Ajo theksoi se të gjitha aktivitetet të cilat ndihmojnë në ndërgjegjësim për zbulim të hershëm shkojnë në favor të pacientëve të cilët po ballafaqohen me këtë sëmundje.

Drejtoresha e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shkëndije Nuza tha se përmbyllja e kësaj fushate është moment i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit.

Ajo potencoi se qëllimi i kësaj fushate është informimi, edukimi dhe mobilizimi për ta kaluar këtë sfidë të prekurit nga kjo sëmundje malinje.

Drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi tha se gjatë këtij viti rreth 24 për qind e kacereve në këtë klinikë janë të gjirit.

Ai potencoi se këtë vit ka rritje të lehtë të numrit të rasteve me këtë sëmundje malinje, për çka tha se mund ta kalojë shifrën e të prekurve krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërsa, drejtoresha  e Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi potencoi se në kuadër të rikonstruktimit të gjirit falas për gratë e prekura me kancer, janë kryer rreth 70 intervenime kirurgjike dhe 100 vizita specialistike.

Zatriqi theksoi se këto intervenime jo vetëm që ndihmojnë në rikthimin e integritetit fizik, por gjithashtu kontribuojnë në rifitimin e besimit dhe shpresës për gratë e operuara nga kanceri i gjirit.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës tha se fushata ndaj kancerit të gjirit do të vazhdojë edhe gjatë muajve të tjerë.

Ndërkaq, tetori është muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, sëmundje kjo që u merr jetën miliona grave kudo në botë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024