Funta britanike po fundoset më shpejt se Titaniku, euro 3% më i dobët në një javë
Lexohet për: 4 min.
uy43u43
2 vite më parë
Linku u kopjua

Presioni mbi monedhat e vendeve evropiane nuk po zbutet për shkak të frikës nga kriza e re.

Kursi i këmbimit të funtës britanike ndaj dollarit ra në nivelin më të ulët në histori, teksa investitorët janë të shqetësuar për planin ekonomik të qeverisë së re britanike.

Funta britanike ka qenë nën presion intensiv që nga fundi i javës së kaluar, kur ra 3.6 për qind kundrejt dollarit, pasi plani ekonomik i qeverisë së re ngjalli frikën e financave publike britanike të tepërta.

Më pas qeveria e re shpalli ulje taksash dhe stimuj investimesh për të mbështetur ekonominë, të cilën do ta financojë me borxhin më të madh që nga viti 1972.

Por kritikët thonë se këto masa ekonomike do të përfitojnë të pasurit dhe se borxhi publik do të rritet ndjeshëm në një kohë të rritjes së normave të interesit.

Përkatësisht, javën e kaluar banka qendrore britanike rriti normat e interesit 0.50 pikë përqindjeje, për të shtatën sesion me radhë, dhe njoftoi se ekonomia me siguri tashmë është në recesion.

Si rezultat, funta ra gati 5 për qind në një moment dje, në një nivel rekord prej 1,0327 dollarësh. Megjithatë, më vonë ajo zbuti humbjet, kështu që në mesditë shënoi një minus prej 2.9 për qind, në 1,0540 dollarë.

“Funta është nën presion të fortë. Investitorët po kërkojnë një përgjigje nga banka qendrore britanike. Ata thonë se plani i ri ekonomik nuk është i qëndrueshëm”, tha Chris Weston, drejtor menaxhues në Pepperstone.

Në tregjet botërore, vlera e dollarit kundrejt një shporte valutash u rrit fuqishëm javën e kaluar për shkak se FED rriti sërish në mënyrë agresive normat e interesit, kështu që euro u zhyt në nivelin më të ulët në 20 vjet, shumë nën një dollar.

Indeksi i dollarit, i cili tregon lëvizjen e dollarit amerikan kundrejt gjashtë monedhave të tjera më të rëndësishme botërore, u rrit 3 për qind javën e kaluar në 112.96 pikë dhe në një moment, për herë të parë në 20 vjet, kaloi mbi nivelin e 113 pikëve.

Në të njëjtën kohë, dollari u ngrit 3.2 për qind kundrejt monedhës evropiane, kështu që çmimi i euros ra në 0.9690 dollarë, niveli më i ulët në 20 vjet.

Kërcimi i indeksit të dollarit për të dytën javë radhazi është falë rritjes së mëtejshme të normave të interesit nga banka qendrore amerikane. Pas një sesioni dy-ditor, FED rriti të mërkurën normat bazë të interesit me 0.75 pikë përqindjeje, për të tretën herë radhazi, në një interval prej 3 deri në 3.25 për qind, niveli i tyre më i lartë që nga viti 2008.

Ndërsa inflacioni në SHBA qëndron pranë niveleve më të larta në më shumë se 40 vjet, banka qendrore ka njoftuar rritje të mëtejshme të çmimit të parasë.

Sipas vlerësimeve të kreut të FED-it, normat e interesit mund të rriten në 4.4 për qind deri në fund të këtij viti dhe në 4.6 për qind deri në fund të vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se deri në fund të këtij viti, FED do të rrisë normat e interesit me 1.25 pikë përqindje të tjera, dhe vitin e ardhshëm me 0.25 pikë.

Një rritje kaq e shpejtë e normave të interesit, e cila filloi në mars të këtij viti, përfaqëson rritjen më agresive të çmimit të parasë që nga viti 1990, kur FED filloi të përdorte interesat e kredive njëditore si mjet bazë të politikës monetare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024