Reshjet e shiut që kanë kapluar Gadishullin Ballkanik javën e fundit, nga dita e shtunë nën ndikimin e masave ajrore polare, do të shndërrohen në reshje sqote e bore, e cila nën ndikimin e erërave të forta veriore mund të krijojë shtresa bore madje edhe rreth 10 centimetra në zonat urbane.
Mot i ndryshueshëm e me reshje të kohëpaskohshme sqote bore do të mbretërojë edhe ditëve në vazhdim të javës që vjen, me temperatura minimale që do të zbresin deri në -10 gradë Celsius dhe me temperatura maksimale që do të luhaten në mes 1 deri 6 gradë Celsius.
Efekti i erërave të fuqishme sidomos veriore, në kontakt të drejtpërdrejt mund të ketë ndikim dhe krijim të ndjeshmërisë së një acari të vërtetë, thuhet në parashikimin e motit nga Departamenti Meteorologjik – ASHNA.