Shtegu i Brezovicës, më i gjati në Kosovë (7.7 kilometra) gjithmonë është atraktiv për garuesit e disiplinës malore dhe nuk ka si të jetë ndryshe as në garën e kësaj fundjave, e katërta e Exfis Kampionatit të sivjetmë të Kosovës.
Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar disa nga garuesit që synojnë rezultate të mira, e pse jo edhe fitoren. Gazmend Demolli, Laszlo Szasz, Gentjan Shaqiri, Përparim Dushi e të tjerë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin.
Sigurisht që edhe garuesit tjerë në garë hyjnë me ambicie për plasman sa më të mirë. Paraqitja në garë bëhet të shtunën nga ora 09:00-11:00 e pas procedurave tjera: verifikimi i dokumentacionit, kontrolli teknik e publikimi i listës startuese, në orën 13:00 nis vozitja e parë testuese.
Të dielën, në orën 11:45 bëhet hapja zyrtare e garës, derisa gara zyrtarisht nis në orën 12:00.