Ftohja e raporteve Kurti-Rama, ish-ambasadori: Nuk i shërbejnë interesit shqiptar
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha deklaron se raportet e dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama nuk janë ato që i shërbejnë faktorit shqiptar.

Propozimi i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë nga ana e Ramës nuk u prit mirë nga Kurti, i cili vendosi të mos e takojë në Prishtinë kryeministrin nga Tirana dhe as të mos i shkojë në kryeqytetin shqiptar në një dreke informale me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Berlinit.

Dinosha thotë për KosovaPress se ftohja e raporteve Kurti-Rama nuk duhet të vazhdojë.

Ndonëse, thotë se fajtori është diku, ish-ambasadori shprehet se nuk është momenti i përshtatshëm për të diskutuar për këtë pasi që situata në Kosovë është ende e paqartë, pas tensioneve në veri të vendit.

Sipas tij, shqiptarët kanë nevojë për unitet mbarëkombëtar në proceset e Ballkanit Perëndimor.

I pyetur se si do t’i shërbente përçarja e shqiptarëve presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, Dinosha thotë se nuk pret që ai të përfitojë shumë nga kjo situatë, pasi që konsideron se kryeministrat shqiptarë do t’i tejkalojnë inatet për të vënë në prioritet interesin e shqiptarëve në përgjithësi.

Kryetari i Unionit Nacional Shqiptar, Ferhat Dinosha shprehet për KosovaPress se uniteti mbarëshqiptar është i domosdoshëm gjithherë, e sidomos në situatën kur agresioni ushtarak rus në Ukrainë mund të shfrytëzohet pozitivisht.

Pas tensioneve të fundit në veri të vendit, ish-ambasadori Dinosha apelon edhe politikën kosovare për unitet lidhur me çështjen e dialogut, si dhe koordinim më të ngushtë me aleatët./N.Jakupi

https://kosovapress.com/admin/dinosha-serbia-nuk-ka-ndryshuar-kosova-te-kete-unitet-politik-e-koordinim-me-ameriken/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024