Me kërkesë të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka angazhuar një kontingjent të specializuar të Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, për t’iu bashkuar operacionit të kërkimit të një personi të zhdukur në rrjedhën e lumit Mat, në zonën e Klosit.
Operacioni kërkim-shpëtimi ka zgjatur dhjetë ditë dhe është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare. Pas angazhimit intensiv në terren, ekipet e përbashkëta kanë arritur të lokalizojnë dhe të gjejnë trupin e pajetë të personit të humbur.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në misionet humanitare dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.






