Në fund të pushimeve të verës, kancelari Olaf Scholz dhe ministrat e koalicionit u takuan në Meseberg për të folur pa dorashka për problemet e grindjet brenda koalicionit, për stanjacionin, kërcënimin nga recesioni ekonomik dhe se çfarë mund të bëhet kundër kësaj gjendjeje pesimiste brenda ekonomisë gjermane.
Temë tjetër ishte edhe performanca e qeverisë së koalicionit me debatet mes ministrave që e kanë dëmtuar imazhin e qeverisë, shkruan DW.
Humbja e besimit tek qeveria
Gjermanët nuk kanë më shumë besim tek koalicioni qeverisës. Vetëm 19% e tyre janë të kënaqur me punën e qeverisë, sipas një sondazhi të televizonit ARD, Deutschlandtrend të kryer nga instituti Infratest-Dimap.
Pakënaqësia është e lartë edhe mes përkrahësve të një partie. Sidomos përkrahës të FDP-së kanë probleme me koalicionin ku bashkëqeveris partia liberale, katër nga pesë persona ushtrojnë kritikë të hapur.
Nuk është e pazakontë që qeveritë humbasin mbështetje, kur fillojnë punën e tyre. Megjithatë qeveri të tjera muaj përpara gjysmës së periudhës legjislative kanë arritur ta rifitojnë besimin e qytetarëve.
Ndërkohë në preferencën e votuesve kryeson CDU/CSU me 29%, e ndjekur nga AfD me 22%.
Partia e kancelarit, Scholz, SPD arrin vetëm 16%. Të Gjelbrit kanë rënë në 14%, dhe liberalët në 6%. E Majta me 4% nuk do të arrinte të hynte në një Bundestag të ri.
Fokusi tek ekonomia
Në Meseberg kancelari gjerman vendosi me kabinetin e tij një plan 10-pikësh të fokusit tek ekonomia. Sipërmarrjet do të marrin lehtësime miliardëshe tatimore dhe do të reduktohet burokracia.
Ndërkohë gati gjysma e të anketuarve në 12 muajt e ardhshëm llogarisin keqësim të gjendjes ekonomike.
Dobësimi ekonomik është problemi më i madh, me të cilin lufton Gjermania aktualisht, sipas të anketuarve.
Edhe tema e migracionit dhe refugjatëve shikohet me prioritet nga qytetarët gjermanë të anketuar, gati po aq e rëndësishme sa ekonomia.
Kurse shqetësimi për luftën në Ukrainë ka humbur rëndësinë që e kishte më parë.
Për të mbështetur familjet, koalicioni qeveritar vendosi sigurimin bazë për fëmijët. 60% e qytetarëve e shohin këtë si hap pozitiv.
Kurse në lidhje me subvencionimin e çmimit të energjisë për degët e ekonomisë me konsum të lartë energjie, qytetarët janë të rezervuar. Vetëm katër nga dhjetë të anketuar e mbështesin këtë ide.