Francezja “L’Alsace” zbulon për lexuesit Shqipërinë turistike, ndërsa i kushtoi një artikull bukurive natyrore të vendit dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike.
Nën titullin ”Shqipëria, perla e panjohur e Ballkanit, “L’Alsace” rendit disa nga vendet më të bukura, duke nisur me Ksamilin.
“Një vend i vogël që ndodhet në veri të Greqisë, Shqipëria shfaqet absolutisht madhështore. Deti i bruztë nuk është kurrë larg maleve apo qendrave kryesore kulturore. Por, kjo ende nuk dihet gjerësisht! Prandaj, është koha e duhur për të zbuluar këtë destinacion origjinal dhe të lirë. Aty ku ndjenja e mikëpritjes ndriçon buzëqeshjet”, vijon artikulli.
Si surprizë tjetër, “L’Alsace” rendit faktin se Shqipëria është një vend malor (70% e sipërfaqes së saj përbëhet nga male). Alpet dinarike në veri të vendit, arrijnë 2700 metra mbi nivelin e detit. Ato janë ende të egra dhe pak të frekuentuara, pavarësisht nga shtigjet që përshkojnë këto peizazhe madhështore. Një domosdoshmëri për amatoret e shtigjeve te pashkelura.
Shkodra ndodhet në veri të Shqipërisë. Në brigjet e liqenit me të njëjtin emër (më i madhi në Ballkan që shënon kufirin me Malin e Zi. Të tjera bukuri të tij: Kalaja madhështore Rozafa, e cila shpalos një panoramë të gjerë të qytetit dhe maleve. Por, edhe qendra historike me shtëpitë e shekullit të 19-të dhe xhaminë e shkëlqyer të plumbit.
Parku Kombëtar i Thethit është një nga vendet që duhet parë në vend. Me malet e tij krenare, kanionet e tij, ujëvarat e tij, shpellat e tij. Dhe fshatrat e tij tradicionale si ai i Thethit, një thesar i vërtetë arkitekturor. Një rajon mikpritës, edhe pse mjaft i thellë, ku mund të strehoheni te vendasit ose në një kamping.
Korça është mbiquajtur “Parisi i vogël shqiptar” për ngjashmërinë e saj me Francën. Për të vizituar: një muze të jashtëzakonshëm arkeologjik, xhaminë më të vjetër në Shqipëri, një katedrale të bukur ortodokse, një pazar të mbushur me dyqane të vogla, ku lulëzon tradita e kuzhinës lokale…
Në zemër të Alpeve Shqiptare (por, i aksesueshëm me rruge automobilistike), liqeni i Komanit ju fton të bëni një ekskursion, me traget ose kajak, mes shkëmbinjve të lartë që i japin gjithë relievin. Në shoqërinë e zogjve të tillë si çafka gri apo pulëbardha kokëzezë.
Artikulli mbyllet me Butrintin, i cili përshkruhet si një vend kyç arkeologjik në Shqipëri, shkruan Atsh. “Ai mban brenda tij gërmadha të jashtëzakonshme. Si një tempull i madh romak i stolisur me statuja mermeri. Një portë e madhe hyrëse në qytet, e quajtur “porta e luanit”. Një bazilikë e shekullit të IV-të, e përbërë nga tre nefet”, shkruhet tutje në artikull.