Kësaj radhe fotografia kishte më shumë peshë, ishte dëshmi e periudhave të vështira që po kalonim.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo ishte ndër hallkat kyçe me të cilat u dëshmuan krimet e forcave serbe mbi civilët shqiptarë.
Autori i ekspozitës, Ridvan Slivova u shpreh se gjeneratat e reja do t’i kenë arkivat e të kaluarës sonë në Kosovë pa pasur nevojë të shkojnë në Evropë.
“Çka është e mirë është se të rinjtë tanë nuk kanë nevojë të bredhin nëpër Evropë, nëpër arkivat e Evropës. Fëmijët tanë, nesër e pasnesër kanë arkivat këtu dhe informacionet…Në mënyrë kronologjike jam munduar ta pasqyrojë ekspozitën dhe shumë faleminderit që më respektuat”, tha Slivova.“Në Kosovë në kohë lufte, njëri mori armën për të mbrojtur vendin, njëri mjekoi të plagosurit dhe dikush mori aparatin për ta mbrojtur të vërtetën dhe kjo pikërisht është ajo që keni bërë zotëri Slivova, sikur edhe gazetarët tjerë që janë këtu por edhe ata që nuk janë. Ridvan Slivova iu përket atyre njerëzve që në ditët më të rënda për Kosovën e kuptuan që fotografia mund të bëhet dëshmi, dëshmi dhe zëri i popullit që po përjetonte dhunë gjenocidale dhe spastrim etnik”, u shpreh Haxhiu.
E meqenëse kjo ekspozitë u hap në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës dhe 27-vjetorit të Masakrës së Gollakut, drejtori ekzekutiv i Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi u shpreh se kjo është një ditë reflektimi dhe nderimi.