Tirana renditet në krye të destinacioneve të preferuara turistike në Evropë.
Sipas kompanisë “ForwardKeys”, e cila shqyrton trendet e udhëtimeve në rang global, bazuar në analizën e të dhënave nga fluturimet ajrore, Shqipëria përmes aeroportit të Tiranës renditet e dyta ndër destinacionet e preferuara për plazhe, duke lënë pas edhe vende si Mykonos.
Edhe sipas të dhënave të INSTAT, thekson Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Shqipëria pritet që të ketë këtë vit sezonin më të mirë turistik sa i përket turistëve të huaj, duke ia tejkaluar dhe vitit 2019 para pandemisë, që deri tani mbante rekordin.
Vetëm në qershor, në vend kanë hyrë 876 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej gati 40% në krahasim me muajin qershor të vitit 2019.
Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art”, “Shtëpia me gjethe” etj./Atsh