Për herë të parë po mbahet Forumi Ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë, i cili po zhvillohet në Stamboll. Ky forum mbledh bashkë biznese nga Kosova dhe Turqia, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe zgjerimit të mundësive për investime. Fillimit të ngjarjes i parapriu një takim bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Tregtisë të Turqisë, Omer Bolat.
Me këtë rast, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për marrëdhëniet e thella ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke nënvizuar dhe rolin që do ketë ky forum në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
Më tej, ai trajtoi dhe zhvillimin e progresin që ka njohur vendi në tri vitet e fundit, e ku në vijim u fokusua në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe zhvillimin proaktiv të tre grupeve të sektorit privat, agrikulturë, industritë dhe sektori i teknologjisë.
“Kosova krenohet me ekonominë demokratike, të sigurt, të qëndrueshme dhe me treg të hapur, të mbështetur nga partneritetet me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë dhe shumë vende të tjera anembanë botës. E njohur për përparimet e saj në sundimin e ligjit, të drejtat politike, liritë civile dhe demokracinë zgjedhore, Kosova është njohur si vendi më demokratik në Ballkan. Prandaj, Kosova paraqet një destinacion ideal për bizneset turke që kërkojnë të rindërtojnë njësitë e tyre prodhuese në një vend të orientuar kah vlerave demokratike dhe stabilitetit ekonomik”, thotë ai.