Forumi 2026: Ndërtimi qarkullues dhe i qëndrueshëm, rruga e re për Kosovën
Lajme
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
Forumi 2026: Ndërtimi qarkullues dhe i qëndrueshëm, rruga e re për Kosovën
forumi foto1234
15/05/2026 - 21:51
Linku u kopjua

Transformimi i sektorit të ndërtimit nga modeli linear në atë qarkullues dhe të qëndrueshëm ishte fokusi kryesor i Forumit 2026. Ky forum i organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në bashkëpunim me Këshillin e Ndërtimit të Gjelbër të Kosovës (KGBC).

Eksperti gjerman i ekonomisë qarkore nga Këshillin e Ndërtimit të Gjelbër të Kosovës (KGBC), Herald Friedl vlerësoi potencialin e Kosovës tupër t’u bërë lidere në ekonominë qarkore në rajon, për shkak të popullsisë së re dhe perspektivës evropiane.

Ai tha se ka lexuar udhërrefyesin për këtë sektor, por bëri thirrje që tani të kaloj në një plan veprimi,  e të mos mbeten “thjesht fjalë të rreshtuara në një copë letre”.

“Kushdo që ka fuqi të sigurohet që ne të mund të ushtrojmë presion në Kosovë, në mënyrë që t’i bejmë njerëzit të lëvizin nga ideja te plani i realizimit, nga udhërrëfyesi te plani i veprimit, le të punojmë të gjithë së bashku për këtë. Mendoj se në ndërtim, të përcaktohet për sektorin një vizion real dhe i qartë se ku dëshironi të shkoni, dhe të gjendet forumi ku të gjithë palët e interesuara janë të koordinuara, ky është hapi tjetër më urgjent. Ndryshe, nëse nuk e organizoni këtë, nuk ka për të ndodhur”, tha ai

Komentet ai i bëri në Forumin 2026 të mbajtur nga Fakulteti i Inxhinierisë Civile të Universiteti i Prishtinës, i organizuar në bashkëpunim me Këshilli i Ndërtimit të Gjelbër të Kosovës (KGBC), me fokus në transformimin e sektorit të ndërtimit nga modeli linear në atë qarkullues dhe të qëndrueshëm.

Ky forum sipas CEO-s dhe Presidentit të KGBC-së, Fahrush Azemi, ka bashkuar ide, institucione, biznese dhe akademinë për një qëllim të përbashkët ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për Kosovën.

Për dekada me radhë, sektori i ndërtimit anembanë botës ka funksionuar përmes një modeli linear: merr burimet, ndërto, konsumo, rrëno, krijo mbetje. Por sot, bota po ndryshon. Ndryshimet klimatike, mungesa e burimeve, kriza energjetike dhe degradimi mjedisor po na detyrojnë të ri-mendojmë mënyrën se si i dizajnojmë, ndërtojmë dhe i menaxhojmë ndërtesat dhe qytetet tona. E ardhmja i përket ekonomisë cirkulare” tha ai

Në fjalën e tij hyrëse, dekani i fakultetit nikoqir Florim Grajçevci, tha se sfidat globale si ndryshimet klimatike, përdorimi intensiv i burimeve natyrore dhe menaxhimi i mbetjeve kërkojnë një qasje të re në sektorin e ndërtimit.

Akademia, industria, institucionet publike, profesionistët, organizatorët, po, dhe partnerët institucionalë janë bërë bashkë për të diskutuar një nga sfidat dhe mundësitë më të rëndësishme të të gjitha kohërave: transformimin e sektorit të ndërtimit nga një model linear drejt një të ardhmeje qarkulluese (cirkulare) dhe të qëndrueshme”, tha ai.

Edhe përfaqësuesja e agjencisë zvicerane “Helvetas”, Nastasija Stojanovski, tha se interesimi i madh për forumin dëshmon se temat e ekonomisë qarkulluese dhe zhvillimit të gjelbër po marrin vëmendje gjithnjë e më të madhe në Ballkanin Perëndimor.

“Do të thoja, sinqerisht, duke parë këtë sallë, kjo tashmë duket si një sukses. Jam shumë e lumtur që shoh aq shumë prej jush këtu, dhe jam e lumtur të shoh aktorë të ndryshëm duke bashkëpunuar së bashku: miq nga industria, akademia dhe shoqata të tilla si Këshilli i Ndërtimit të Gjelbër, por gjithashtu shoh edhe përfaqësues nga Qendra jonë e Ekonomisë Qarkulluese (Circular Economy Hub)”

Nga Këshilli Gjerman për Ndërtime të Qëndrueshme foli ekspertja e ekonomisë qarkore, arkitektja Barbara Miranda e cila tha se kalimi drejt ekonomisë qarkulluese nuk mund të realizohet individualisht.

Në kuadër të këtij forumi u realizuan edhe dy panele. Paneli i parë u fokusua në tranzicionin e sektorit të ndërtimit drejt ekonomisë qarkore dhe rolit që materialet e qëndrueshme luajnë në këtë proces. Ndërkaq në panelin e pasditës u fokusua në tranzicionin nga ndërtimi tradicional drejt ndërtimit modern dhe të qëndrueshëm në Kosovë,

Valbona Dushi nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit theksoi ndikimin e marrëveshjeve evropiane të cilat po e shtyjnë Kosovën drejt ekonomisë qarkore dhe standardeve më të larta mjedisore.

“Ne si institucione kemi nënshkruar po edhe e kemi taksën e karbonit, do të thotë si CBAM, Carbon Border Adjustment Mechanism. Po ashtu i kemi edhe, i ka paraprirë do të thotë, edhe industria qarkore. Të gjitha këto komponente i kanë paraprirë do të thotë edhe ne dashtë e pa dashtë si institucione, si shtet, duke shkuar krah për krah me sektorin privat, ndryshimet klimatike që kanë ndodhur, jemi duke punuar në këtë drejtim që të përkrahim sektorin privat në përgatitjen e legjislacionit, por jo vetëm legjislacionit, po edhe politikave të cilat do ta orientojnë prodhimin tonë nga prodhimet me emetim sa më të ultë të dioksidit të karbonit”, tha ajo.

Ndërsa Servet Spahiu nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës foli për tranzicionin e sektorit të ndërtimit në Kosovë dhe nevojën për standarde më të forta në planifikim dhe efikasitet energjetik

“Në aspektin që lidhet me ndryshime klimatike, por edhe me ekonomi qarkore edhe qëndrueshmëri të ndërtesave, e si rrjedhojë kemi finalizuar procesin diku kah fundi i qershorit, pritet me u bërë certifikimi i ndërtesave  të eficiencës së energjisë, domethënë çdo ndërtesë, çdo leje ndërtimore prej momentit kur të fillojmë, ashtu që të gjithë ata që do të financojnë energjetikën do t'i nënshtrohen”, tha ai.

Në fund të këtij forumi u mbajt edhe një tryezë ku të pranishmit diskutuan mbi konkluzionet e këtij forumi. E si përfundime nga ky forum dolën të jenë ngritja e kapaciteteve të studentëve për të përfituar njohuri mbi qëndrueshmërinë dhe ekonominë qarkore dhe zhvillimi i një kurrikule të rregullt universitare që përfshin praktikat e ndërtimit të qëndrueshëm.

U veçuan edhe iniciativat praktike, si investimet në makineri për riciklimin e mbetjeve inerte dhe bashkëpunimi me KGBC për trajnime profesionale, një pikë e fortë e forumit ishte fuqizimi i rolit të grave në këtë sektor


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026