Në tregun e brendshëm të këmbimit valutor në Shqipëri, të martën leku forcoi pozitat në raport me monedhat e huaja. Rënia e kursit të këmbimit të euros vijoi me ritme të larta edhe të martën.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha evropiane u këmbye të martën me 107.4 lekë, duke prekur një minimum të ri historik.
Sipas agjentëve të këmbimit, rënia shpjegohet me ofertën shumë të lartë të valutës në treg. Kjo ofertë përkon fillimin e sezonit turistik, por sigurisht jo me pikun e këtij sezoni, ndaj ndoshta vetëm turizmi nuk e shpjegon dot ofertën shumë të lartë valutore në treg.
Një hipotezë tjetër e lidhur me këtë periudhë të vitit mund të jetë edhe ndikimi i investimeve të shtetasve jorezidentë në tregun e pasurive të paluajtshme. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se blerjet e pronave nga shtetasit e huaj vitin e kaluar arritën nivelin më të lartë historik. Ato prekën e vlerën e 291 milionë eurove, me një rritje vjetore prej 52%, shkruan Oranews.
Leku i fortë po favorizon huamarrësit në monedhën europiane, që në shumicën e rasteve të ardhurat e tyre i kanë në monedhën vendase. Forcimi i lekut sjell ulje të nivelit të borxhit dhe të shpenzimeve për shlyerjen e tij. Përfituesi më i madh është qeveria shqiptare, që në fund të tremujorit të parë 2023 kishte një borxh të jashtëm në vlerën e afërsisht 4 miliardë eurove, ose afërsisht sa 33% e vlerës së përgjithshme të stokut të borxhit publik.
Kredia në euro dominon edhe në sektorin privat të ekonomisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, më shumë se 52% e kredisë në fund të vitit të kaluar ishte në valutë të huaj dhe kryesisht në euro.