Këtë vit ka një rritje të theksuar të ankesave nga konsumatorët ndaj operatorëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike, në këtë rast për shërbimeve kabllore televizive dhe internetit.
Ankesat janë bërë kryesisht për faturim të padrejtë, për shërbime jo cilësore, praktika mashtruese dhe mos përfillje të kontratës.
Kritik ndaj Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ishte Njazi Shala nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për mos trajtimin e ankesave të caktuara dhe në mënyrën e duhur. Ai pretendon se 50 për qind e ankesave nuk janë trajtuar nga ARKEP.
“Ankesat që i kemi pranuar i kemi ndarë këto kategori, për faturim të padrejtë, mos përfillje të kontratës, shërbime jo cilësore dhe praktika mashtruese. Për të gjitha këto kemi pasur 243 ankesa nga janari i vitit 2022… Kanë qenë dy flukse të ankesave. Rasti i IPKO-s nuk e di pse nuk është trajtuar prej ARKEP-it, pavarësisht se kësi lloj ankesave ARKEP i ka trajtuar më parë”, theksoi ai.
“Ne kemi adresuar çështjen që ka ankesa, të cilat gabimisht kategorizohen si ankesa që duhet ARKEP t’i trajtojë. Në fakt me ligjet në fuqi, ka ankesa të cilat gabimisht kanalizohen si ankesave të fushave që i mbulojmë, e në fakt janë fusha audio-vizuele. Është informim jo i drejtë se ARKEP-i nuk i trajton ankesat e caktuara”, tha ajo.
Hulumtuesi i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore(INDEP), Dardan Abazi shprehet i bindur se numri i përgjithshëm i ankesave në sektorin e komunikimeve elektronike arrin qindra-mijëra.
Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, njëherësh edhe anëtar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Driton Hyseni duke theksuar se Ligji për komunikimet elektronike po zbatohet në tërësi, vuri theksin se është vërejtur nevoja për plotësim ndryshimin e Ligjit me disa amendamente.
Megjithatë, deputeti Hyseni tha se Komisioni ka vërejtur një tendencë të rritjes së ankesave nga viti në vit. Teksa shtoi se ka një besueshmëri ndaj Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) për shqyrtimin e tyre.
Edhe Komisioni i Pavarur për Media ka pranuar dhjetëra ankesa nga konsumatorët.