Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve tashmë janë vendosur fletëvotimet të cilat janë shtypur në Slloveni dhe janë sjell në Kosovë gjatë këtyre ditëve.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se për zgjedhjet e 7 qershorit janë shtypur mbi 1 milionë e 778 fletëvotime.

“Sipas vendimit të KQZ-së, për zgjedhjet e 7 qershorit janë shtypur 1 milionë e 778 mijë e 300 fletëvotime. Nga ky numër, 1,605,000 fletëvotime janë të planifikuara për votimin në vendvotimet e rregullta; 19,450 për votimin me kusht; 13,500 fletëvotime rezervë; dhe 3,500 për votimin e personave me nevoja të veçanta. Edhe në këto zgjedhje, si në të kaluarën, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime se numri i përgjithshëm i votuesve dhe kjo mbështetet në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime. Këto fletëvotime, aktualisht janë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në kuadër të përgatitjeve logjistike, të shtunën në mëngjes do të bëhet shpërndarja e tyre në Qendrat Komunale të Numërimit dhe nga aty të dielën në mëngjes në Qendra të Votimit”, tha ai.
Sipas Elezit nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve, për votimin me postë jashtë Kosovës janë shtypur 108 mijë fletëvotime, ndërsa për votimin në përfaqësi diplomatike 28,850 fletëvotime.“fletëvotimet për votimin me postë, i cili ka nisur më 21 maj dhe përfundon më 6 qershor, janë dërguar në adresa të votuesve të regjistruar, ndërkaq fletëvotimet dhe materialet tjera zgjedhore janë nisur për tu dërguar në përfaqësi diplomatike, në të cilat do të zhvillohet votimi më 6 qershor. Më 6 qershor, procesi i votimit do të zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike për 27,724 votues e regjistruar paraprakisht. Votimi do të mundësohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Më 6 qershor përfundon votimi jashtë vendit, përkatësisht votimi me postë, për 104,488 votuesit e regjistruar për këtë lloj votimi”, tha ai.
Më 7 qershor është dita e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Procesi i votimit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit me gjithsej 2,550 vendvotime. Në 911 Qendra Votimi me 2,498 Vendvotime do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në 38 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime, do të mundësohet votimi me kusht. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milionë e 959 mijë e 962 votues. /B.Ibishi/