Shtete të mëdha botërore si Anglia, Zvicra, Franca e Kazakistani iu nënshtruan Kosovës në Kampionatin Botëror të karatesë, duke bërë që Kosova ta fitojë vendin e tretë në botë në kategorinë e vajzave, medalje kjo e para në historinë e Kosovës në nivel të ekipeve.
Karateistet Fortesa Orana, Vlora Qerimi, Hatixhe Zejnullahu dhe Albulena Gërvalla, i siguruan Kosovës këtë medalje historike për të cilën, siç kanë rrëfyer për KosovaPress, ndihen tejet krenare.
“E kam pritur këtë rezultat për shkak se punoj shumë vite për këtë rezultat dhe gjithmonë kam qenë afër rezultatit të madh, por ka qenë një befasi e madhe në Kumite Team që e kemi fituar. Shorti ka qenë shumë i vështirë, nuk është që kemi pasur fat në short edhe me e tejkaluar dhe me ardhur deri këtu ku jemi por secila luftë ka qenë luftë e finales, secili shtet ka qenë shumë i fuqishëm. Sa i përket garës, meçin e parë e kemi pasur me Anglinë ku kemi fituar bindshëm unë dhe Vlera Qerimi i kemi fituar dy luftërat kryesore...pastaj na ka rënë me Japoninë, Japonia është fuqi botërore për karatenë...Rivalin tjetër e kemi pasur Zvicrën ku edhe aty kemi fituar bindshëm me rezultat 2-0...më tutje edhe Franca që është ndër garueset më të mira në botë që i ka Franca, njihet për karate që ka shumë potencial edhe aty kemi fituar me fitore bindshëm 2-0, mendoj që ka qenë dita jonë, momenti ynë i artë mendoj dhe pas Francës shkuam për medaljen e bonztë ku i kishim kazaktë...Ka qenë një emocion tepër i madh ku Kosovës ia kemi sjellë një medalje botërore që nuk e ka askush në ekipë ”, tha Orana.
Për të vazhduar në këtë rrugë, Orana thotë se kanë nevojë për më shumë mbështetje, kushte më të mira në stërvitje dhe pjesëmarrje në sa më shumë gara ndërkombëtare.
Krenare me medaljen e bronztë botërore shprehet edhe karateistja Vlera Qerimi, e cila thotë se nuk ndihet krejtësisht e plotësuar sepse nga vetja kërkon edhe më shumë.
Ndërsa, Hatixhe Zejnullahu thotë se pas kësaj medalje ekipore, radha është për të sjellë në Kosovë edhe medalje individuale nga kampionatet evropiane e botërore.