Sulmi që ndodhi ndaj të moshuarës në qendrën strehmore “Orenda” në Pejë tronditi opinionin publik, por banorët që jetojnë në këtë qendër vazhdojnë të jenë të qetë.
I moshuari, Myrteza Ahmeti 89 vjeçar thotë se do të vazhdoj qëndrimin e tij në këtë qendër përkundër asaj që ndodhi.
Ky i moshuar i cili banon në qendrën “Orenda”, thotë se pas katër ditësh ka dëgjuar për sulmin që infermierja bëri ndaj të moshuarës.
“Derë më derë kam qenë dhe nuk kam dëgjuar, tek pas katër ditësh”, u shpreh ky i moshuar.
Ndërsa, shtoi se infermierja që ka sulmuar të moshuarën ka bërë gabim të madh.
“Që tre muaj jam këtu…unë me u ndie keq e kisha lëshuar se e kam banesën në Fidanishte por për më mirë kam ardhur, për ma kujdesje”… vallahi nuk ka kush vërejtje tash gabimet janë personale nuk janë të përgjithshme…sikur vajza ime kanë bërë aso kujdesi ndaj meje. Vërejtje nuk ka, e pse ka ndodhur një rast…. Infermierja, saniterja ka bërë gabim të madh me sulmu të hendikepuarën, plakun, fëmijën është vepër penale”, tha ai.
Gruaja e moshuar e cila ishte sulmuar nga infermierja gjatë ditës së sotme ka bërë kontrollë specialistike nga Mjeku Specialist në Spitalin e Pejës.
Lidhur me rastin gjatë ditës së djeshme, janë arrestuar tre persona, përfshirë edhe infermieren e cila shihet në video teksa ushtron dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së moshuar.
Për këtë sulm fizik që dyshohet se ushtroi infermierja ndaj gruas së moshuar ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zyra e Presidencës. /B.Ibishi/