Muaji nëntor nuk është një muaj i zakonshëm për shqiptarët. I mbushur me festa kombëtare, ky muaj mbetet i veçantë sa i përket rëndësisë që ka për historinë e popullit tonë.
Dita e Flamurit, 28 Nëntori, shënohet pothuajse kudo që flitet shqip. Me flamuj kuq e zi shihet i zbukuruar edhe sheshet e Prishtinës nga ku shihet se është vendosur edhe një flamur i përmasave të mëdha.
Kjo datë shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane dhe në anën tjetër u hapën rrugët për zhvillim dhe emancipim shoqëror.
Përveç Ditës së Flamurit, Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në fshatin Llaushë të Skenderajt.
Me ardhjen e këtyre festave, shihet edhe një lëvizje më e madhe e qytetarëve në rrugë e sheshe, të cilët kalojnë momente festive në ambiente në të cilat ata mësojnë edhe për historikun e këtyre festave.
Krejt këto bëjnë që emocionet e shqiptarëve në Kosovë në këto ditë nëntori të jenë të mëdha, dhe pothuajse çdo gjë merr ngjyrën e festës.