Sot, është mbajtur Tryeza e Flakës, në të cilën është diskutuar rreth historisë së “Flakës së Janarit” në të cilën është folur për fillet e manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit”, sikurse që ka pasur edhe kumtesa rreth personaliteteve që iu kushtohet ky manifestim.
Nënkryetarja e komunës së Gjilanit, Leonora Morina-Bunjaku, në emër të institucioneve komunale ka thënë se “Flaka e Janarit” është një manifestim që identifikohet me Gjilanin, por që i cili njëkohësisht i ka dhënë identitet këtij qyteti. Sipas saj, vargut të pafund të luftëtarëve për liri i përkushtohet ky manifestim, i cili ka arritur një nivel të lartë kulturor dhe që tash e 32 vjet Gjilanin e bën kryeqytet kulturor të shqiptarëve.Studiuesja Sabile Keçmezi-Basha, që është paraqitur me një studim të saj në këtë tryezë, ka theksuar se “Flaka e Janarit” nderon sakrificën e heronjve që kanë rënë për liri që nga periudha e Skënderbeut e deri te lufta çlirimtare. Ajo ka pasur një paraqitje kronologjike, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore e këtej, duke u ndalur në të gjitha periudhat e rëndësishme që nga kërkesat për flamur e për republikë, vullnetin për liri dhe që pikërisht në ato kohë “Flaka e Janarit” e ka nisur rrugëtimin e saj, pikërisht në kohën e suprimimit të autonomisë së Kosovës e në mungesë të lirisë.
Siç është bërë e ditur në komunikatën e komunës së Gjilanit, ajo ka thënë se në vitet 90-ta nga pushtuesi ishte tentuar të shkatërrohej çdo aspekt i jetës në Kosovë, ka pasur dhunë, arrestime e vrasje e “Flaka e Janarit” ka qenë një formë e rezistencës ndaj pushtuesit. Keçmezi-Basha ka deklaruar se me këtë manifestim, janë nderuar heronjtë, dëshmorët dhe me të, sipas saj, është bërë thirrje për bashkim e fuqizim e populli është përgatitur për ditët që po vinin.
Zëvendësministri i Mbrojtjes dhe njëri nga nismëtarët e “Flakës së Janarit”, Shemsi Syla ka thënë se ky manifestim ka mbajtur gjallë idealin për liri.
Duke rikujtuar nismat e para për krijimin e këtij manifestimi, Syla, ka thënë se kanë qenë kohë të vështira, kohë okupimi klasik, por që nismëtarët nuk janë ndalur, të frymëzuar nga heroizmi i Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës e i heronjëve të tjerë.
Studiuesi Ilir Vokshi, është paraqitur me një kumtesë mbi “Represionin serb pas vitit 1981”, duke thënë se vetëm në Prishtinë pas demonstratave të vitit 1981 ka pasur nëntë të vrarë dhe 15 të plagosur. Ai, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka përmendur edhe kërkesat e kësaj demonstrate, që në qendër kanë pasur kërkesën për Kosovën Republikë. Ai ka folur edhe për mijëra vjet burgim për demonstruesit, për përjashtimet nga puna, institucionet arsimore, por edhe vazhdimin e luftës për liri, duke u formuar një numër i madh i organizatave të fshehta.
Albin Halimi, në kumtesën e tij është ndalë te jeta dhe vepra e Kadri Zekës. Ai ka folur për aktivitetin e Kadri Zekës në grupin Revolucionar të Kosovës, për qëllimet atdhetare të tij dhe të shkove të tij, për botimin e gazetës “Liria” në Zvicër, bashkëpunimin me vëllezërit Gërvalla, mbajtjen e lidhjes së fuqishme me përfaqësuesit e Shqipërisë dhe për veprimtarinë e Kadri Zekës gjatë e pas demonstratave të vitit 1981 deri në rënien heroike më 17 janar 1982.
Për veprimtarinë e Nuhi Berishës, me një kumtesë është paraqitur studiuesi Rexhep Arifi, i cili ka paraqitur fragmente kujtimesh për këtë atdhetar. Ai, sipas komunikatës, ka thënë se Nuhi Berisha që nga mosha e re i ishte bashkuar lëvizeve ilegale dhe se ai ka pasur aftësi të jashtëzakonshme komunikuese. Sipas Arifit, Nuhi Berisha ka qenë organizator i formacioneve të para stërvitore për luftën e armatosur.
Në këtë tryezë në pjesën diskutuese kanë marrë pjesë edhe Tefik Basha, Lulzim Zymberi e Ibush LLapashtica, që ka evokuar kujtime të qëndrimit ilegal të Rexhep Malës e Nuhi Berishës në shtëpinë e tyre.