Gjermania po humb një numër të madh patentash në favor të kompanive të huaja të cilat po i blejnë dhe marrin nën kontroll ndërmarrjet vendase.
Ky përfundim del nga një studim i Institutit të Këlnit për Kërkime Ekonomike (IË), i porositur nga Fondacioni Bertelsmann dhe i publikuar të enjten.
“Shumica e patentave të prodhuara në Gjermani kontrollohen nga Shtetet e Bashkuara, por Kina tashmë është vendosur në grupin kryesor përkatës”, thuhet në studim, njofton dpa, përcjellë KosovaPress. “Në dritën e zhvillimeve aktuale gjeopolitike, të dyja këto rrethana duhet të shqyrtohen në mënyrë kritike.”
Studimi shton se Gjermania do të bënte mirë të arrinte pavarësi më të madhe në sektorët e rëndësishëm teknologjikë.Megjithatë, ai theksoi se Kina po i orienton blerjet në Perëndim në mënyrë gjeostrategjike, ndërsa në të njëjtën kohë mbron tregun e saj nga investitorët e huaj.
Instituti, që është i afërt me interesat e punëdhënësve, rekomandon që Gjermania të investojë më shumë në kërkim shkencor për të shmangur mbetjen prapa në konkurrencën ndërkombëtare, pasi pjesa e ekonomisë gjermane në shpenzimet globale për kërkim dhe zhvillim ka rënë ndjeshëm.