Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka inaguruar fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës nacionale N9-Segmenti Kijevë-Dollc, rrugë e cila, do të lidh kryeqytetin me pjesën perëndimore të Kosovës. Megjithatë, aty dolën për të protestuar edhe banorët e kësaj ane, pasi po mbyllen bizneset e tyre.
Kurti së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, vizituan fillimin e punimeve, ku thanë se kjo rrugë ka gjatësinë 10.9 km me kosto më pak se 21 milionë euro. Ai theksoi se pas këtij projekti, do të jetë vazhdimi i rrugës Dollc-Ramunë, për të cilin njoftoi se hapja e procesit për tenderim do të bëhet në muajin maj.
Po ashtu, zëvendësministri i planifikimit hapësinorë dhe infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se afati më i gjatë është 260 ditë për llotin më të madh, por nga angazhimi i kompanive dhe mbikëqyrjes të jashtme, mund të realizohet para këtij afati.
Ndërkohë, aty u panë edhe qytetarët e Kijevës të cilët protestuan për fillimin e këtyre punimeve për shkak që mund të mbyllen mbi 60 biznese. Protestuesi Isuf Mehmetaj ka thënë se në këtë rrugë janë të dy anët të shpronësuara, dhe tani duhet të mbyllen këto biznese.
Ndërsa, zëvendësministri i planifikimit hapësinor dhe infrastrukturës, Hysen Durmishi ka vijuar se është takuar me pronarët e këtyre bizneseve, por ky projekt është hartuar shumë më herët. Ai thekson se ka shumë arsyeje që ka devijuar kjo rrugë, por një nga kryesoret është se zgjerimi i rrugës në vendbanime i dëmton vendbanime.