Federata e Futbollit e Kosovës vijon traditën e ndarjes së çmimit tradicional “Ylli i Javës”, çmim që i akordohet lojtarit më të spikatur të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e njëzet e një të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Ferizaj, Ruben Silva Richards, i cili ia solli skuadrës së tij tre pikë me shënimin e dy golave kundër FC Ballkanit, ndërsa ndeshja përfundoi me rezultat 2:1. Ky vlerësim është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
“Jam shumë mirënjohës. I kam shënuar dy gola, por gjithashtu janë futbollistët e tjerë në ekip të cilët po kalonin javë të vështira dhe mendoj personalisht që është një tjetër futbollist që ka bërë shumë mirë në këtë ndeshje; ai është kapiteni i ndeshjes, Mexhit Neziri, të cilit ia dedikoj këtë shpërblim” – deklaroi Richards për faqen zyrtare të FFK-së.
FC Ferizaj ndodhet në vendin e tetë në tabelën e Albi Mall Superliga, me 22 pikë, 14 më pak se FC Ballkani.
