Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka lëshuar një tjetër reagim duke përgëzuar klubet për reagimet e tyre në lidhje me, siç i quan ajo, “shpifjet dhe shantazhimet ndaj kësaj federata.
“Klubet dhe, në përgjithësi, komuniteti i futbollit në Kosovë kanë dëshmuar edhe njëherë se janë mburojë e fortë e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ato nuk lejojnë që individë të pa integritet, të cilët nuk kanë lidhje me futbollin, të denigrojnë dhe shantazhojnë këtë sport, për të cilin është derdhur shumë djersë dhe janë bërë investime të mëdha për dekada me radhë. Klubet, Lidhjet Rajonale, shoqatat e asociacionet e trajnerëve, të gjyqtarëve, të veteranëve, të futbollit të femrave, të futsallit, shkollat e futbollit dhe të gjithë dashamirët e futbollit kanë reaguar ashpër ndaj shpifjeve të fundit nga një personazh që fshihet pas petkut të gazetarit dhe opinionistit”, thuhet në reagimin e FFK-së, përcjellë KosovaPress.