Fernandes thyen rekordin historik të asistimeve në Premier Ligë
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Fernandes thyen rekordin historik të asistimeve në Premier Ligë
Manchester UNited
24/05/2026 - 18:05
Linku u kopjua

Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka shkruar emrin e tij në librat e historisë së futbollit anglez në xhiron e fundit të kampionatit.

Në ndeshjen si mysafir kundër Brightonit, Fernandes asistoi me një krosim të përsosur nga korneri për golin me kokë të Patrick Dorgu, duke arritur në kuotën e 21 asistimeve brenda një sezoni të vetëm në Premier Ligë.

Me këtë asistim, portugezi ka thyer rekordin e përbashkët prej 20 asistimesh që mbahej nga dy legjenda të këtij kampionati: Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne. Javën e kaluar, Bruno kishte barazuar këtë shifër pas një pasimi për Bryan Mbeumo, ndërsa sot u shkëput zyrtarisht si lideri i vetëm i të gjitha kohërave.

Edhe pse u shpall "Lojtari i Vitit në Premier Ligë" dhe fitoi çmimin nga gazetarët (FWA), Fernandes u shpreh mjaft modest për këtë arritje historike:

"Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar. Kur i afrohesh këtij rekordi, fillon të mendosh shumë për të. Po flasim për Thierry dhe Kevin, dy nga emrat kryesorë të Premier Ligës. Jam shumë mirënjohës dhe i lumtur që e arrita këtë."

Statistikat e Opta tregojnë se nga 21 asistimet e Brunos këtë sezon, 10 erdhën nga loja e hapur dhe 11 nga ndërprerjet, duke u shndërruar në një "makinë kreative" të vërtetë nën urdhrat e Manchester United.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026