Fermerët gjermanë ngasin qindra traktorë në Berlin për të protestuar kundër qeverisë
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Fermerët gjermanë kanë bllokuar rrugët e Berlinit me mbi 3000 traktorë të hënën për të protestuar ndaj planeve të qeverisë për të hequr lehtësimin e taksave për naftën bujqësore.

Joachim Rukwied, president i Shoqatës Gjermane të Fermerëve, tha se ata nuk do të pranojnë ofertën e fundit të qeverisë për të hequr gradualisht lehtësimet tatimore dhe do të vazhdojnë protestat e tyre.

“Kam përshtypjen se qeveria e koalicionit ende nuk e ka kuptuar: ne nuk do të pranojmë kompromise të këqija për naftën bujqësore,” tha ai në një deklaratë.

“Ne kemi nevojë për një ndryshim në politikë që prioritizon nevojat e popullatës sonë, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ekonomisë dhe bujqësisë,” shtoi ai.

Që nga mëngjesi i hershëm, kolonat e traktorëve e bllokuan trafikun në Berlin dhe rrugët kryesore të qytetit në rrethin qeveritar dhe rreth portës së Brandenburgut të qytetit u bllokuan.

Disa nga fermerët vendosën në traktorët dhe kamionët e tyre tabela ku shkruhej: "Nuk ka të ardhme pa fermerë", "Fermat janë në flakë, politikanët janë në gjumë", "Nuk duhet të luani me ushqimin, siguroni prodhimin bujqësor" dhe "Ndaloni së shpërdoruari paratë e taksapaguesve!”

Koalicioni i majtë-liberal i kancelarit Olaf Scholz njoftoi muajin e kaluar se po planifikon të shkurtojë subvencionet për karburantet bujqësore dhe automjetet, si pjesë e masave të reja shtrënguese të qeverisë për të përmbushur rregullat e buxhetit.

Mes presionit, qeveria rishikoi planin e saj në fillim të këtij muaji dhe tha se lehtësimi i taksave do të hiqet gradualisht gjatë shumë viteve. Por shoqata e fermerëve e hodhi poshtë këtë ofertë, duke theksuar se këto ndryshime nuk ishin aspak të mjaftueshme për të adresuar problemet e tyre./AA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024