Ferizaj sërish përfitues nga mbështetja e BE-së për efiçiencë të energjisë me afro gjysmë milion euro
Lexohet për: 3 min.
stadiumi ferizaj
1 vit më parë
Linku u kopjua

Është bërë inaugurimi i punimeve në Sallën Sportive në Ferizaj, projekt ky me masat për efiçiencë të energjisë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, mbështetur nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës.

I pranishëm në këtë përurim ishte kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili derisa tha se ky projekt kap vlerën afro gjysmë milion euro, theksoi se efiçenca e energjisë përveçse ndikon në uljen e kostove financiare për familjet dhe ekonominë, gjithashtu ndikon në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe uljen e importit të energjisë elektrike.

Duke folur për projektin, Kurti tha se këto masa të efiçiencës së energjisë do të rezultojnë në kursimet e energjisë prej rreth 52% të konsumit bazë.

Mes tjerash, Kurti shtoi se si qeveri së bashku me partnerë e donator janë të përkushtuar për investime në masat e efiçiencës se energjisë.  

Falënderues për këtë̈ mbështetje u shpreh kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, i cili tha se të gjitha këto marrëveshje janë̈ hapa të rëndësishëm në kuadër të programit për efiçiencën e energjisë̈.

Aliu u shpreh se vitin e ardhshëm do të aplikohet edhe në disa projekte të tjera, që ndërtesa të ndryshme publike, institucionale të përfshihen në kuadër të këtij programi.

Po ashtu, përfituese nga ky projekt në këtë komunë ishte edhe Njësia e Zjarrfikësve në Ferizaj, në vlerë mbi 103 mijë euro.

Të pranishëm në këtë përurim ishin edhe ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli, përfaqësuesi i Bankës Botërore, Masimiliano Pauluçi dhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian, Alesandro Biançardi.

Sipas IPA 2017, Bashkimi Evropian ka ndarë 10 milionë euro për Fondin e Mirëbesimit të menaxhuar nga Banka Botërore me qëllim të mbështetjes së operacioneve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (KEEF) në infrastrukturën publike komunale, duke përfshirë ndërtesat publike dhe ndriçimin publik.

Granti i BE-së është i kombinuar me 5 milionë euro kredi nga Banka Botërore, si dhe bashkëfinancim nga Qeveria me 1 milion euro/vit.

Në kuadër të “Pakos për Mbështetje të Energjisë”, të financuar nga BE-ja, prej 75 milionë euro si përgjigje ndaj krizës energjetike, Fondi i Kosovës për Efiçencën e Energjisë, do të zbatojë 20 milionë euro për masat e efiçiencës së energjisë në sektorin e banimit.

Bashkimi Evropian kërkon më tej të mbështesë Kosovën në zbatimin e strategjisë së re të energjisë (2022-2031) në veçanti në fushën e efikasitetit të energjisë dhe energjisë së rinovueshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025