Përdorimi i teknologjisë informative nga fëmijët duhet të jetë nën mbikëqyrje nga prindërve, sepse ata mund të bëhen preh e mashtrimeve dhe manipulimeve, gjë që mund të përfundojnë në lloje të ndryshme të radikalizmit politikë apo socio-kulturor, por edhe të bien në kthetra të ndryshme pornografike apo pedofilie.
Sociologët dhe psikologët thonë se lojërat e ndryshme po bëjnë fëmijët agresiv në jetën e përditshme, por po ndikojnë edhe në cilësinë në arsim.
Besa Grajqevci, psikologe, thotë për KosovaPress, se zhvillimi i teknologjisë po ndryshon sistemin jetësor dhe se përveç të rriturve, po ndikohen edhe fëmijët. Ajo propozoi që fëmijët e moshave të hershme të mos ekspozohen në ekrane. Përveç efekteve të këqija, ajo thotë se përdorimi i teknologjisë, ka edhe efekte të mira. Sipas saj, gjithçka është e varur se si e shfrytëzojmë teknologjinë dhe se ajo duhet të shfrytëzohet sa është e nevojshme për zhvillimin e fëmijëve.
Se kjo dukuri është duke u përdorur shumë nga fëmijët dhe po i largon nga angazhimi në arsim, e thotë sekretari i Këshillit të Prindërve, Enver Bala. Sipas tij, në çdo shkollë duhet të ketë psikolog të cilët i tregojnë fëmijëve se cilat janë efektet e mira dhe ato të këqija nga teknologjia.