Si pasojë e temperaturave të larta në vend është shtuar edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë. E grupmoshat më të prekura janë fëmijët dhe të moshuarit, për të cilët doktoresha Violeta Haxhiaj – Nobërdaliu thotë se nuk duhet të dalin jashtë prej orës 10:00 deri në 17:00.
Specialistja e mjekësisë familjare në QMF-në 11 në Prishtinë, sipas së cilës numri i pacientëve është shtuar rreth 20%, jep edhe rekomandime të tjera sesi të përballemi më lehtë me temperaturat e larta në vend.
Kokëdhimbja, marramendja, të vjellat dhe diarreja janë simptomat më të shpeshta të njerëzve të prekur nga temperaturat e larta.
Specialistja e mjekësisë familjare ka propozuar kujdes maksimal ndaj ekspozimit të diellit, sidomos nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 17:00 të mbrëmjes.
Kujtojmë që, ditëve të fundit, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat maksimale kanë shkuar deri në 36 gradë Celsius. Instituti ka bërë thirrje për kujdes nga rrezet direkte të diellit, për shkak të indeksit UV të lartë./E.Drenica