Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka bërë sot prezantimin e Viktor Kovac si trajner të ri të Kombëtares së Kosovës te femrat, ndërsa edhe ka prezantuar edhe programin e aktiviteteve për periudhën qershor-korrik të këtij viti.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu fillimisht shpalosi aktivitetet të cilat parashihen të zhvillohen gjatë muajve qershor dhe korrik. Më 8 dhe 9 qershor do të zhvillohet FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier. Nga data 25 deri më 30 qershor do të mbahet FIBA Kampionati Evropian për Shtete të Vogla për femra. Më 18 deri më 21 korrik do të zhvillohet FIBA 3x3 Women’s Challenger Prishtina, kurse nga data 23 deri më 28 korrik do të mbahet FIBA U18 Kampionati Evropian – Divizioni C për femra.Pas Fetahut fjalën e morri trajneri i ri i “Dardaneve”, Viktor Kovac i cili tha se detyra e tij është ta bëjë më të mirën që mundet me lojtaret që i ka për t’u përgatitur për një garë shumë të rëndësishme.
Më tej, menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Adriatik Rraci foli për përgatitjet e vashave “Dardane” dhe synimin në Kampionatin Evropian të femrave për Shtete të Vogla.
FIBA Kampionati Evropian për Shtete të Vogla – femrat do të mbahet për herë të parë në Kosovë. Për vashat e Kosovës kjo është paraqitja e tretë, derisa në dy herët e mëparshme, kjo ngjarje ishte organizuar në Qipro.
Vashat “Dardane” ndodhen në Grupin A, ku do të përballen me Gjeorgjinë, Qipron dhe Maltën. /A.Arifi/