Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot një aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë, në shenjë kundërshtimi ndaj paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, mungesës së saj dhe faturave të larta.
Gjatë aksionit, në mënyrë simbolike ata lanë para objektit të ministrisë një faturë të përmasave të mëdha, e cila paraqet realitetin e jetës së një qytetari në vend.
“Sot s’kemi ardhë me pankarta. Kemi ardhë me një faturë. Një faturë që po e ngulfat jetën e qytetarëve çdo muaj. Një familje në Kosovë, me 1000 euro të ardhura mujore, ka 1085 euro shpenzime bazike. Pa luks, pa pushime, pa kursime. Vetëm bukë, vetëm rrymë, vetëm ngrohje, vetëm qira, ilaçe dhe shkollë për fëmijët. Minus 85 euro çdo muaj. Çdo muaj fillon me borxhe. Çdo muaj mbyllet me frikë”, tha Syla.
Sipas Sylës, rritja prej 21 përqind e çmimit të energjisë elektrike nuk është reforme por goditje ndaj familjeve kosovare.
Ai shtoi se qytetarët jo vetëm që po varfërohen, ata po vidhen. Sepse, sipas tij, kur rritet rryma, buka, transporti, rritet gjithçka përveç pagës.
Syla tha se energjia është nevojë bazike e jo luks.