Familjet e dëshmorëve: Në Koshare qëndrojnë themelet e lirisë
Lexohet për: 3 min.
338711189_259237263205772_9097781668309385922_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sot, për nder të 24-vjetorit të Betejës së Koshares, politikanë, familjarë të dëshmorëve e shumë qytetarë bërn homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare.

Nipi i komandantit Agim Ramadani, Taulanti u shpreh se në Koshare qëndrojnë themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

"Është një datë e rëndësishme dhe një vepër kthyese në historinë e Kosovës, këtu qëndrojnë bazat dhe themelet e lirisë dhe Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Unë si nipi i Agim Ramadani dhe gjithë familjarët dhe pjesa tjetër e familjarëve të gjithë dëshmorëve që kanë rënë në Betejën e Kosharës janë shumë krenarë, megjithëse bashkëndjejmë dhimbjen dhe krenarinë", u shpreh ai.

Vajza e dëshmorit Rrahman Tafa, Shpresa kërkoi nga institucionet e shtetit që të bëjnë organizim më profesional të përvjetoreve të Betejës së Koshares.

Ajo kërkoi që të ketë mbështetje për familjet e dëshmorëve.

Vëllai, njëkohësisht edhe bashkëluftëtar i dëshmorit, Abedin Murtezi, Afrimi gjersa shprehu dhimbjen për humbjen e vëllait, të cilit ia kanë gjetur kufomën pesë vjet pas vdekjes, tha se Qeveria nuk është duke i përkrahur mjaftueshëm.

Vëllai i dëshmorit Kasim Uka, Përparimi, i cili ka ardhur nga mërgimi, thesoi se janë krenarë që janë familjarë të një dëshmori.

Ndërkaq, Kadë Hajzeri, sikur në çdo përvjetor e ndien dhimbjen e të birit 19-të vjeçar, Shabanit.

Ajo tha se dëshira për luftën drejtë lirisë ka qenë këmbëngulje e të birit, gjersa shtoi se ai u vra së bashku me shokët e tij.

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Në Betejën e Koshares së vitit 1999, gjatë dy muajve kanë rënë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së dhe qindra të tjerë janë plagosur.

https://kosovapress.com/admin/24-vjet-nga-thyerja-e-kufirit-kosove-shqiperi/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025