16 burrat dhe djemtë e familjes Mirena, policia dhe paraushtarakët e Serbisë i ndanë nga familjarët e tyre 25 vjet më parë, me duart e lidhura pas shpine, derisa nën kërcënime e dhunë ata po ecnin drejt kamionit që priste matanë shinave të trenit. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se familjet jetuan në ankthin e pritjes, pa ditur për fatin e më të dashurve të tyre deri në vitin 2006, kur ata u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit, nga e cila u zhvarrosën 744 shqiptarë të Kosovës.
Hetimet për masakrën në Nakaradë i kishte filluar UNMIK-u në vitin 2000 dhe në vitin 2008 dosja i ishte dorëzuar EULEX-it, ndërsa në 2018 çështja u dërgua në Prokurorinë Speciale të Kosovës, por ende nuk janë dënuar autorët e as urdhërdhënësit e kësaj masakre. Kurti edhe një herë bëri thirrje sistemit të drejtësisë të veprojë urgjentisht për të sjellë drejtësi për Nakaradën, dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.