Facebook dhe Instagram mund të mbyllen në të gjithë Evropën, njoftoi kompania Meta në raportin e saj vjetor, për shkak të problemeve me rregulloret evropiane që pengojnë transferimin, ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave të përdoruesve nga Evropa në serverët amerikanë.
Sipas mediave evropiane, në raportin vjetor për Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë, Meta paralajmëroi të enjten e kaluar se nëse korniza e re nuk miratohet, kompania do të mbyllë Facebook dhe Instagram në Evropë.
Nëse nuk miratohet një kornizë e re, "ne ndoshta nuk do të jemi në gjendje të ofrojmë produktet dhe shërbimet tona më të rëndësishme, përfshirë Facebook dhe Instagram, në Evropë", tha Meta.
Meta dikur ishte në gjendje të përdorte një kornizë të transferimit të të dhënave të quajtur Privacy Shield si bazë ligjore për transferimet transatlantike të të dhënave. Megjithatë, në korrik 2020, Gjykata Evropiane e Drejtësisë e anuloi marrëveshjen për shkak të shkeljeve të mbrojtjes së të dhënave. Gjykata konstatoi se kuadri ekzistues nuk mbron në mënyrë adekuate privatësinë e qytetarëve evropianë.
"Sigurimi i një marrëveshjeje të re për flukset e sigurta të të dhënave transatlantike është një prioritet për ne dhe partnerët tanë amerikanë," tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Euronews.
Negociatat janë intensifikuar muajt e fundit, me diskutime në nivel teknik dhe politik. Kjo përfshin kontakte të rregullta midis komisionarit Reynders dhe koleges së tij, sekretares së Tregtisë së SHBA-së, Gina Raymondo, shtuan ata.
Nick Clegg, nënkryetar i Meta për çështjet globale, tha se nuk kanë absolutisht asnjë dëshirë dhe asnjë plan për t'u tërhequr nga Evropa, por Meta dhe shumë kompani organizata dhe shërbime të tjera, mbështeten në transferimin e të dhënave midis BE-së dhe SHBA-së për të punuar mbi shërbimet globale.
"Ne u bëjmë thirrje rregullatorëve të miratojnë një qasje proporcionale dhe pragmatike për të minimizuar ndërprerjen e mijëra kompanive që, si Facebook, janë mbështetur me mirëbesim në këta mekanizma të sigurt të transmetimit të të dhënave," tha ai.