Shqipëria U-17 u përball sot me Kroacinë në ndeshjen e dytë për eliminatoret e Kampionatit Europian 2023 për këtë grup-moshë. Kuqezinjtë ishin shumë pranë marrjes së një rezultati pozitiv, që mund t’i afronte më shumë me kualifikimin, por në minutat shtesë pësuan gol duke u mundur 1-0.
Gjithsesi, Shqipëria U-17 ka ende shanse për të kaluar në Elite Round nëse arrin të fitojë me Uellsin në ndeshjen e tretë të grupit që do të luhet më 26 tetor në ora 13:00.
Ndeshja ka qenë shumë e balancuar me të dyja skuadrat që studionin kundërshtarin dhe herë pas here duke goditur portën. Të dyja skuadrat janë shumë të kujdesshëm dhe mbrohen mirë me pjesën e parë që mbyllet në barazim 0-0.
Në fillimi të pjesës së dytë trajneri Bulku bën dy zëvendësime, duke nxjerrë nga loja Bode e Kasharin e duke hedhur në fushë Dejvi Duron dhe Dean Vranicin. Shqipëria U-17 arrin të krijojë disa raste për shënim me protagonist Suejmanin, por nuk e gjen dot golin e avantazhit. Në minutën e 64-t dy zëvendësime të tjera për kuqezinjtë teksa lënë fushën Belloj e Bastari për t’i lënë vendin Davide Avdullarit dhe Matteo Dashit. Ky i fundit është protagonist në dy raste për shënim në minutat në vazhdim, pa ia dalë mbanë për ta dërguar topin në rrjetë. Kur dukej se sfida do të mbyllej në barazim 0-0, në minutat shtesë Kroacia gjen golin e fitore me anë të Živkovi?. Mbyllet me fitoren e Kroacisë U-17, ndërsa Shqipëria ka aktualisht 3 pikë pas dy ndeshjeve të para me grupin që kryesohet nga Uellsi me 4 pikë.