Euro i rikthehet rënies, zbret pranë kufirit të 103 lekëve
Lexohet për: 2 min.
euro
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kursi i këmbimit mes euros dhe lekut po zhvendoset përsëri në rënie gjatë kësaj jave. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të mërkurën me 103.21 lekë. Kursi ka pësuar rënie me afërsisht 1.2 lekë që nga enjtja e kaluar, kur u shënua rritja e fundit domethënëse, pas sinjaleve të dhëna nga Banka e Shqipërisë.

Javën e kaluar, guvernatori Gent Sejko, paralajmëroi ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për të frenuar mbiçmimin e lekut në kursin e këmbimit valutor. Në vijim, Banka e Shqipërisë zyrtarizoi rritjen e blerjeve të valutës të planifikuara këtë vit, në një kufi të ri prej 300 milionë eurosh, nga 220 milionë euro që ishte limiti i mëparshëm.

Blerjet e Bankës së Shqipërisë realizohen nëpërmjet ankandeve të programuara dhe zyrtarisht nuk kanë si qëllim ndërhyrjen në kursin e këmbimit, por rritjen e rezervës valutore. Megjithatë, duke parë forcimin e shpejtë të lekut këtë vit, Banka e Shqipërisë po e përdor këtë mekanizëm për të tërhequr një pjesë të prurjeve të mëdha të valutës në treg.

Sidoqoftë, sipas ekspertëve, shuma shtesë prej rreth 80 milionë eurosh që do të blihet nga Banka e Shqipërisë nuk ka shumë të ngjarë të sjellë ndryshime të rëndësishme të raporteve të kursit të këmbimit. Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 18 milionë euro, por megjithatë tendenca rënëse e kursit të këmbimit ka vijuar, shkruan Oranews.

Agjentët mendojnë se prurjet valutore këtë vit janë mjaft të mëdha, kryesisht për shkak të numrit rekord të turistëve të huaj që po vizitojnë Shqipërinë këtë vit. Nga ana tjetër, edhe rritja më e ngadaltë e kreditimit dhe politika fiskale shtrënguese që po ndjek qeveria shqiptare favorizojnë forcimin e lekut.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024