Escobar: Sektori privat ka rol kyç në rritjen e mëtejme ekonomike të Ballkanit Perëndimor
Lexohet për: 2 min.
r22r2r2
2 vite më parë
Linku u kopjua

Emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar gjatë vizitës në Kosovë është takuar sot edhe me drejtues të Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë.

Ai me këtë rast theksoi rolin e rëndësishëm që sektori privat ka në rritjen e përshpejtuar të ekonomive individuale dhe integrimin rajonal ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

“Unë çmoj punën avokuese që bëjnë odat rajonale amerikane dhe shoqatat e biznesit, për t’i sjellë përfitime tërë rajonit.  Rrëfimi i Ballkanit Perëndimor është ai i rritjes fenomenale dhe mundësive fenomenale ekonomike që janë të pranishme këtu,” tha Escobar.

Derisa vlerësoi se një pjesë e rritjes lidhet me aktivitetet ekonomike pas pandemisë COVID dhe remitencat nga jashtë, ai tha se ka rritje të fuqishme ekonomike në gati secilin shtet të Ballkanit Perëndimor.

“Mesazhi im për kompanitë amerikane është se nëse keni një treg të konsoliduar, të hapur në rajon, ju keni kapacitetin për një rritje të vrullshme në furnizim me gaz likuid natyror (LNG), në dërgesa, në transport, IT, energji të ripërtërirë dhe sektorë më të vegjël, si turizmi dhe zbavitja. Këto investime nuk do t’i shërbejnë vetëm Ballkanit Perëndimor, por Evropës Lindore në përgjithësi,” tha Escobar.

Ai shtoi se Ballkani ka potencialin të bëhet ofrues i shërbimeve për tërë Evropën, duke thënë se qeveritë pro biznesit që janë të hapura për bashkëpunim përtej kufijve janë kyçe për de-bllokimin e potencialit ekonomik.


Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025