Policia e Kosovës ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në shërbim të policëve të nacionalitetit serbë që dhanë dorëheqje në fund të vitit 2022.
Katër vjet pas largimit të tyre nga institucionet e Kosovës, autoritetet policore thonë se dorëheqjet ishin pranuar dhe procedura është përmbyllur.
Këtë qëndrim e rikonfirmoi për KosovaPress zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
“Në momentin që ata e marrin vendimin në dorë, ata nuk janë më policë të Kosovës”, deklaroi Elshani.
KosovaPress ka kërkuar qëndrim edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje zyrtare.Pas gati katër vjetësh, një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë kanë kërkuar rikthimin në vendet e tyre të punës, duke argumentuar se dorëheqjet e tyre nuk ishin trajtuar.
Megjithatë, më 20 korrik 2026, Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesat e ish-prokurorëve serbë dhe stafit të tyre mbështetës për rikthim në sistemin prokurorial. Një ditë më pas, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, nënshkroi dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Shefi i Seksionit të Drejtësisë në UNMIK, Andrea Lako, deklaroi se qarkullojnë informacione se gjyqtarët dhe prokurorët mund të rikthehen, duke theksuar se komuniteti ka nevojë për shërbimet e tyre.
Në anën tjetër, avokati dhe ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, vlerësoi se rikthimi i tyre do të ishte në interes të funksionimit të drejtësisë dhe integrimit të komunitetit serb, duke e cilësuar dorëheqjen e vitit 2022 si vendim politik të Listës Serbe dhe të autoriteteve në Beograd.
Ndryshe nga ky qëndrim, avokati Lubomir Pantoviq tha se nuk beson se rikthimi do të ndodhë, megjithëse shtoi se do të dëshironte një zhvillim të tillë.
Dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës u shpallën më 5 nëntor 2022 në një takim të organizuar nga Lista Serbe në Mitrovicën e Veriut, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe. Procesi i integrimit të tyre në institucionet e Kosovës kishte nisur vite më parë në kuadër të marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit.