Hetimet në fshatin Banjskë të Zveçanit nuk do të përfundojnë për një kohë të gjatë, deklaroi sot drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani. Për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai tha se Policia e Kosovës nuk kishte synim të vriste askënd, dhe se viktimat janë pjesë e procesit të lirimit të territorit nga grupet kriminale.
Sot (e mërkurë) kur edhe u lirua për qëllim rruga që çon në Basnjkë, Elshani tha para mediave se zona përreth maleve nuk është e sigurt meqë janë gjetur një mori mjetesh të pashpërthyera e të cilat do të hetohen nga njësi të specializuara gjatë ditëve në vijim.
“Unë mendoj se hetimet nuk kanë për të përfunduar edhe një kohë të gjatë sepse edhe për neve është interesant se pse ky vend të zgjedhet në këtë vend dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur me u vendos këtu. Është një fshat i mirë, turistik, njerëzit janë shumë të qetë. Ndoshta puna e kufirit sepse logjistika ka pasur mundësi të vijë nga ana e shtetit serb atje, mirëpo hetimet me siguri do të shkojnë më gjatë”, tha ai.
Siç tha ai, Policia e Kosovës ka kryer punën e saj në mënyrë profesionle dhe ka realizuar punën e saj “me sa më pak dëme” që ka qenë e mundur.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...
Sa i përket bastisjes, Elshani tha se do të vazhdojë rreth zonave malore, derisa pati një mesazh edhe për gazetarët, të cilëve sot për të parën herë që nga sulmi iu lejua hyrja në fshatin Banjskë.
Ai theksoi se përgjatë këtyre ditëve, Policia e Kosovës ka hasur në armatim gjithandej fshatit, porse nuk u lëshua në detaje. Derisa tregoi sesi sulmuesit e armatosur kishin gjuajtur në drejtim të Policisë edhe me predha e minahedhës.
"Ka pasur gjuajtje me minahedhës 60 mm dhe 82 mm. Ju kah erdhët e patë një pompë të benzinës, aty ka pasur gjuajtje, ka pasur predha. Kështu që, prej këtu na kanë gjuajtur atje. Kështu, vendimet është dashur të jenë shumë të shpejta. Ne kemi pasur koordinim shumë të mirë me eprorët tonë në qendrën ‘Enver Zymberi’ dhe veprimet tona janë koordinuar shumë shpejt”, derisa nuk tregoi nëse shtëpia për të cilën foli është pjesë e manastirit apo jo.
I pyetur për largimin e terroristëve nga Manastiri i Banjskës, Elshani tha se videot veçse kanë qenë publike.
Ai potencoi se Policia e Kosovës ka pasur bashkëpunim me EULEX-in dhe çdo gjë është bërë edhe në koordinim me ta.