Elmi Reçica premton angazhim për heqjen e masave nga BE-ja
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 6 min.
4 ditë më parë
Linku u kopjua
Heqje të masave të vendosura nga Bashkimi Evropian, mbështetje për bizneset, ligj të veçantë për investime strategjike, mbështetje për të gjitha komunat e vendit pa dallime politike, premton kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica, i cili në listën zgjedhore mban numrin 17.
Me përvojë shumëvjeçare nga legjislaturat e kaluara, Reçica synon për herë të gjashtë ulësen e Kuvendit të Kosovës. Ai thotë se do të ua kthejë mirëqenien qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik vendit.
Reçica thekson nëse PDK-ja fiton zgjedhjet, kryeministri i ardhshëm, Bedri Hamza, do të angazhohet për të hequr sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian.
Ai shprehet i bindur se Hamza, me përvojën e tij si ish-ministër i Financave, do të mund të rrisë mundësitë për Kosovën duke forcuar marrëdhëniet me faktorët ndërkombëtarë dhe duke eliminuar sanksionet.
Një tjetër prioritet i Reçicës është krijimi i një ligji të veçantë për investime strategjike, ku kapitali i mërgimtarëve do të trajtohet me prioritet të lartë.
“Besoj fuqishëm që jemi nën masa, në raport me Bashkimin Evropian, sepse keqqeverisja, dhe keqmenaxhimi i kreut të shtetit i situatave të caktuara dhe përplasja ka ndikuar që ne të kemi sanksione. Në këtë aspekt, kryeministri i ardhshëm, Bedri Hamza, patjetër që në ditët apo në muajt e parë në një mënyrë do t’i eliminojë ato sanksione, sepse komunikimi i tij dhe bashkëpunimi me faktorët ndërkombëtar është ai që i sjell Kosovës mundësi që nuk i ka sjellë kjo qeveri. Hamza, duke qenë ministër i Financave, Kosova është anëtarësuar në organizatat më të fuqishme financiare të botës, sepse aty duhet edhe diplomaci, di të komunikojë dhe çojë përpara proceset. Po ashtu do të insistoj një ligj i veçantë për investime strategjike, ku investimi i kapitalit të mërgimtareve tanë do të trajtohet me prioritet absolut. Në kuadër të kësaj, unë si kryetar i këtij komisioni kam insistuar që të ketë kandidat nga mërgata në këto zgjedhje, dhe i kemi katër kandidat”, thotë Reçica.
Në lidhje me zhvillimin ekonomik, Reçica kritikon qeverinë aktuale për mungesën e projekteve konkrete dhe investimeve kapitale për komunat e Kosovës.
“Është lehtë të bëhet fushatë, sepse kur ke një qeveri të tillë, kryeministër të tillë që nuk ka dhënë asnjë rezultat, asnjë projekt të filluar dhe të përmbyllur, kur ka një pakënaqësi në të gjitha kategoritë e shoqërisë, komunat të cilat nuk kanë përfituar asnjë investim kapital nga kjo qeveri përkundër nevojave të qytetarëve. Dhe besoj se PDK, me kryeministrin në ardhje, Bedri Hamza, ka ofruar një plan që është më i miri. Brenda këtij programi kryesisht ka zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, rikthimi në normalitet i marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtar, që këto katër vite ka pas tensionime të vazhdueshëm. Çështjet e tjera kanë të bëjnë edhe me marrëdhëniet brenda shqiptarëve. Le që nuk kemi raporte aq normale me shtetin shqiptar, me shqiptarët në Maqedoni, janë lënë anash shqiptarët në Luginë të Preshevës, dhe këto tre çështje duhet të jenë prioritet sa i përket qeverisjes me Bedri Hamza. Por, prioritet është që zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale të ndodhë siç ka ndodhur në të kaluarën, kur Hamza ka qenë ministër i Financave. Kjo periudhë kur ka qenë Hamza është kur qytetarët dhe shteti i Kosovës kanë përfituar më së shumti”, nënvizon Reçica.
Ndërsa, thekson se PDK-ja, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, do të sigurojë që të gjitha komunat të trajtohen njësoj.
“Sundimi i ligjit, këtë mandat kemi pasur shkelje të shumta të Kushtetutës, kemi pasur situata kur shkelja e Kushtetutës nuk ka pasuar me ndonjë sanksion të atyre që e kanë shkelur, dhe realisht kjo ka krijuar një situatë që të dobësohet fuqia e shtetit. PDK nuk ka ndodhë dhe nuk do të ndodhë të ndërhyjë në institucionet e pavarura, qoftë të gjyqësisë, apo organeve të tjera, sepse janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligje, ndarjet e pushteteve. PDK ofron më së shumti. Komunat kanë qenë të ndëshkuara, vetëm vitin e kaluar, vitin fiskal, katër komuna që nuk janë rastësisht të PDK-së, nuk kanë pas asnjë cent për investime kapitale. Skenderaj, Ferizaj, Kaçaniku dhe Hani Elezit. Dhe Bedri Hamza kur ka qenë vet ministër, në të gjitha grupet parlamentare përfshirë edhe VV, ka shkuar në grup tyre dha ka kërkuar prioritetet e tyre dhe gjitha kërkesat e tyre kanë qenë në projektligjin për buxhetin. Dhe këtu do të jetë edhe fokusi që të mos ndahen komunat nga përkatësia politike”, thotë Reçica.
Ndërsa thekson planet për Ferizaj, i cili përmend nevojën për investime në infrastrukturë dhe sektorët kyç si bujqësia, për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të tij.
“Ferizaj si qytet më i zhvilluar për çdo vit buxhetit të Kosovës i jep 600 milionë euro që është 18 për qind e buxhetit të shtetit, ndërsa qeveria e ndëshkon për një spital, ku do duhej të trajtoheshin afër 200 mijë banorë. Kjo është që i ka munguar Ferizajt për inate politike, asgjë tjetër. Këto janë projekte që Bedri Hamza do t’i ketë parasysh. Është edhe ujëmbledhësi i Jezercit. Duhet të zhvillojmë bujqësinë, të investojmë tek fermerët. Për ne si Ferizaj kemi projekt një kyçje në autostradë që e ka heq kjo qeveri dhe që është kërkesë e bizneseve, sepse bizneset janë ato që e mbajnë këtë shtet. Ato gjenerojnë të hyra. Kryeministri Bedri Hamza dhe ne si deputetë, bizneset nuk i konsiderojmë si kundërshtarë, përkundrazi, mendojmë që përmes tyre me kushte që t’i trajtojmë mirë edhe të punësuarit, dhe duhet t’i kenë të njëjtat të drejta edhe obligime sikurse i ka shteti në raport më të punësuarit në administratë”, përfundon Reçica.