Elitat ruse po lodhen gjithnjë e më shumë duke pritur që lufta të përfundojë dhe po shqetësohen për ndikimin afatgjatë të sanksioneve perëndimore në ekonominë ruse, sipas Meduza.
Burime të larta thanë për mediumin e pavarur rus se "elitat" ruse janë të zhgënjyera që lufta me Ukrainën nuk përfundoi në vitin 2024. Burimet përfshijnë njerëz të afërt dhe brenda administratës presidenciale, dy deputetë të Dumës, një senator dhe tre zyrtarë të lartë në qeveritë rajonale ruse.
Dy burime pranë administratës presidenciale thanë se qeverisë i mungon një vizion i qartë për periudhën e pasluftës.
Në të njëjtën kohë, një burim tjetër deklaroi se elita ruse, kryesisht zyrtarë të lartë të sigurisë, janë gjithnjë e më të irrituar nga mungesa e fuqisë punëtore dhe burimeve për të zhvilluar luftë dhe besojnë se Putin duhet të fillojë mobilizimin për të përshtatur më tej shoqërinë dhe ekonominë ruse me nevojat e luftës.Ekonomia ruse është nën presion për shkak të inflacionit të lartë, ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe sanksioneve. Instituti amerikan për Studimin e Luftës (ISW) sugjeron që zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të sigurisë besojnë se Putin duhet të intensifikojë luftën në vend që të kërkojë një zgjidhje diplomatike.
ISW publikoi dje një raport ku thuhej se zyrtarët rusë të sigurisë dhe ushtrisë nuk tregojnë gatishmëri për të hequr dorë nga lufta pavarësisht humbjeve në rritje.